Helmimet nga ushqimet e kontejnerëve|Video
Venera Adili/ RTK
Jeta e shumë qytetarëve që jetojnë në vend e veçmas komuniteteve joshumicë, të cilët në mungesë të kushteve socio-ekonomike, detyrohen që ushqimin e hedhur në mbeturina ta marrin dhe ta konsumojnë.
Mjekët apelojnë për kujdes, pasi përdorimi i produkteve që nuk ruhen në ambiente të duhura shkakton helmime dhe rëndon gjendjen shëndetësore.
Në qendrat mjekësore të Obiliqit e Fushë Kosovës, vitin e kaluar në muajt korrik e gusht ndihmë mjekësore u është ofruar qindra qytetarëve.
Mbijetesa i ka vënë në udhëkryq. Ata duhet të zgjedhin të marrin ushqim nga shportat e bërllokut ose të mbesin të uritur.
Bashkë me mbeturinat, një nga qytetarët në Fushë Kosovë, i cili nuk dëshiron të identifikohet, shpalos edhe hallet e tij. Thotë se si kryefamiljar nuk heziton të marrë edhe nga ushqimet që të tjerët i lënë aty si të papërdorshme.
“Marr valla, marr edhe bukë edhe të tjera gjëra ushqimore e ju jap edhe në shpi. Raste të tilla ka gjithandej, me theks të veçantë te komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Gjendja rëndohet kur nga ushqimet që marrin, ata helmohen dhe rrezikojnë shëndetin”, deklaroi një qytetar.
Mjekët tregojnë se rastet e helmimit ndodhin shpesh, sidomos në stinën e verës. Ata bëjnë apel për kujdes, derisa tregojnë se në lagjet me komunitete bëhet edhe fushatë e vizita derë më derë.
“Kemi raste më shumë gjatë verës dhe mundohemi ta bëjmë edhe edukimin shëndetësorë por nuk përjashtohen”, deklaroi Vjollca Hoti, QKMF Obiliq.
“Ka raste kryesisht nga mos kujdesi me ushqime, gjithmonë bëhen fushatë. Vetëm gjatë gushtit të dy viteve të fundit, në qendrën e mjekësisë familjare në Obiliq janë regjistruar 330 raste, derisa në qendrën e mjekësisë familjare në Fushë Kosovë 670 të tilla”, deklaroi Mustafë Gashi, QKMF Fushë Kosovë.
Ndonëse në regjistra nuk veçohen, komunitetet qëndrojnë më së keqi, për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ua kufizojnë cilësinë e jetës.























