Kurorëzohet Mbreti Charles III
BKT
Lajme

Kurorëzohet Mbreti Charles III

Bardhyl Bajrami | RTK

(Plotësuar) Sot në një ceremoni mbresëlënëse është bërë kurorëzimi i Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar, Charles-it të III-të dhe bashkëshortës mbretëreshë Camillës, e cila tash e tutje do të quhet Mbretëresha Camillë.

Mbreti është kurorëzuar për të shërbyer, ka thënë kryepeshkopi i Canterburyt Justin Wellby, i cili edhe ka udhëhequr ceremoninë.

“Jemi këtu për ta kurorëzuar mbretin, e mbreti kurorëzohet për të shërbyer”, ka thënë kryepeshkopi që në fillim të predikimit.

Kryepeshkopi i Canterburyt i ka vënë mbretit Charles kurorën e Shën Eduardit, që është pjesa kulmore e kësaj ceremonie. Pas vënies së kurorës, kryepeshkopi Wellby tha: “Të na rrojë mbreti”.

Kjo është hera e parë dhe e vetme që mbreti Charles do ta mban këtë kurorë në kokë. Herën tjetër, kjo kurorë do të vëhet në kokën e monarkut të ri.

Në këtë ceremoni, kanë ndodhur edhe disa pjesë që në kurorëzimet e mëhershme nuk kanë ndodhur. Mbreti Charles, gjatë ceremonisë, lutjen e ka bërë me zë më të lartë, gjë që nuk ka ndodhur më parë.

Gjithashtu, deri tani nuk ka ndodhur që kori ungjillor të këndon në një ceremoni kurorëzimi.

Në çastin e kurorëzimit të mbretit, në 13 lokacione të ndryshme në Britani, përfshirë qytetet si Edinburg, Kardif dhe Belfast janë dëgjuar të shtënat e topave, e poashtu edhe në anijet e Marinës Mbretërore.

Pas përfundimit të ceremonisë në Abacinë Westminster, Madhëritë e tyre do të kthehen në Buckingham Pallace në një ceremoni tjetër më të madhe e njohur si ‘Procesioni i Kurorëzimit’. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Në pjesën përmbyllëse të gjithë kësaj ceremonie, Mbreti dhe Mbretëresha, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, do të dalin në ballkonin e Pallatit Buckingham për t’i përshëndetur qytetarët e grumbulluar dhe mbi pallat do të fluturojnë aeroplanët.

Charles III vendos kurorën e mbretit

(Plotësuar) Mbreti Charles III është kurorëzuar, të shtunën në mesditë, në një ceremoni solemne në kishën Westminster Abbey të Londrës. Ai është ulur në karrigen e kurorëzimit, ku është pajisur me të gjitha simbolet e mbretit.

Së pari, Mbretit iu dha një pallto e artë vezulluese për t'u veshur, e quajtur Supertunica, derisa më pas shpata e unaza mbretërore. Kryepeshkopi i Canterbury-t i gjatë dorëzimit të shpatës i tha që ta përdorë atë për të "bërë drejtësi, për të ndaluar rritjen e paudhësisë, për të mbrojtur Kishën e Shenjtë të Zotit dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë".

Ndërkohë, në fund Mbretit Charles III i është vendosur edhe kurora e Shën Eduardit mbi kokë nga kryepeshkopi i Canterbury-t me thirrjen “Zot ruaje Mbretin”.

Më pas u dëgjuan këmbanat e abacisë, tingëlluan boritë dhe përshëndetjet me armë u dëgjuan në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Kryepeshkopi me biblën në dorë i kërkoi Mbretit Charles të konfirmojë se ai do të mbështesë ligjin dhe Kishën e Anglisë gjatë mbretërimit të tij.

Momenti unik i betimit të Mbretit Charles, u shoqërua me zotimin e këtij të fundit se do të jetë një monark besnik.

Kurorëzimi i Mbretit Charles III

Sot do të bëhet ceremonia e kurorëzimit të mbretit të Britanisë së Madhe, Charlesit të Tretë. Përveç familjes mbretërore do të marrin pjesë edhe liderë e personalitete botërore, ne mesin e të cilëve do të jetë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. RTK do të bëjë transmetimin e drejtpërdrejt të kësaj ceremonie.

Londra po i bën përgatitjet e minutës së fundit për ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charlesit të Tretë. Kurorëzimi i mbretit, apo vënia e kurorës mbretërore mbi kokën e Charles-it të tretë do të bëhet në kishën apo abacinë Westminster.

Qindra përkrahës, qytetarë e vizitorë, janë rreshtuar nëpër trotuare për të zënë një pozitë të mirë për të përcjellë nga afër krejt atë që do të ndodhë. Disa madje kanë vendosur edhe tenda të vogla në të cilat e kanë kaluar natën.

Më shumë se 5000 trupa të forcave të armatosura kanë mbërritur me tren në Londër për këtë ceremoni. Rrjeti Hekurudhor ka thënë se ky është numri më i madh i lëvizjes së personelit ushtarak me tren në Britani të Madhe, që nga viti 1965 me rastin e funeralit apo varrimit të kryeministrit Winston Churchill.

Ceremoni për kurorëzimin e mbretit do të nisë në ora 12 sipas kohës sonë dhe do të udhëhiqet nga Kryepeshkopi i Canterbury-t.

Megjithatë, gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe protesta kundër-monarkisë, të udhëhequra nga grupi Republika, i cili po i koordinon protestat në sheshin e njohur Trafalgar në qendër të Londrës por edhe në vendet tjera të Britanisë së Madhe.
 

 

 


MË SHUME NGA Lajme