Ndarjet e paspecifikuara buxhetore |Video
Arbresha Berisha/ RTK
Ministria e Kulturës, Komuna e Gjilanit e ajo e Klinës gjatë 2022-s dhe 2023-s kanë ndarë miliona euro për projekte të cilat nuk janë të specifikuara në buxhetin e këtij viti.
Përmes përdorimit të linjave të përgjithshme, si “shenjëzimi i rrugëve, e rregullimi i parqeve” këto të fundit nuk kanë treguar se ku do të shkojë një pjesë e buxhetit e paraparë për investime kapitale, raporton RTKlive.
Me ndarje të tilla buxhetore ngrihen dyshime për keqpërdorime.
Miliona euro nga buxheti i sivjetmë për investime kapitale në komuna e ministri nuk dihet saktë se ku do të destinohen. Ministria e Kulturës, komuna e Gjilanit dhe ajo e Klinës, në linjat buxhetore kanë caktuar shumë të përgjithshme, pa treguar saktë se ku do të shkojnë paratë e ndara.
Komuna e Klinës ka ndarë 10 mijë euro për shenjëzim horizontal dhe vertikal të rrugëve për këtë vit dhe 30 mijë euro për rregullimin dhe zgjerimin e parqeve.
Komuna e Gjilanit ka marrë pjesë në projekte të bashkëfinancuara nga donatorët, të cilat kapin vlerën e mbi 1 milion eurove, ka ndarë 100 mijë euro për pajisje shëndetësore dhe 76 mijë për ndërtimin e ambulancave dhe qendrave të mjekësisë familjare.
Ndërsa, Ministria e Kulturës ka paraparë 100 mijë euro për rinovimin e poligoneve shkollore, 400 mijë për rinovimin e palestrave sportive në qendrat regjionale dhe 300 mijë euro për ndërtimin e fushave të tenisit në komuna të ndryshme, projekte këto të cilat kanë nisur gjatë viteve të kaluara
E pyetur për këto shpenzime, Ministria e Kulturës arsyetohet se buxheti i paraparë është bazuar në kërkesat dhe nevojat e komunave dhe federatave, dhe se mjetet do të shpenzohen në hartimin dhe realizimin e projekteve.
Një tjetër arsyetim kanë komunat e Gjilanit dhe të Klinës.
Për shkak të kërkesave të shumta dhe të njëjta nga lokalitetet e Komunës së Klinës, të dala nga dëgjimet buxhetore që janë aprovuar në Kuvendin Komunal me rastin e miratimit të buxhetit për vitin 2023, nuk janë specifikuar ndarje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vetëm një shpjegim. Ai thotë se ndarjet buxhetore u takojnë kuvendeve komunale.
“Vendosin kuvendet komunale se si emërtohen dhe ku përcaktohen projekte të tilla”, tha ai.
Kurse Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se në vijat buxhetore komunale përcaktohet çdo buxhet, sa do të jetë investimi, për shkolla për çerdhe e pra janë të specifikuara dhe janë të detajuara.
Por, mosndarjet e paspecifikuara buxhetore i kundërshton shoqëria civile.
"Problem është se te disa komuna dhe ministri vërehen disa linja buxhetore që janë të përgjithshme dhe i japin diskricion kryetarit dhe ministrit që më pas gjatë vitit të alokoj mjete në projekte ad-hoc. Kjo ndikon edhe në implementimin e projekteve", tha Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit nga GAP.
Sipas udhëzimit administrativ për kriteret përzgjedhëse dhe prioritetit të projekteve kapitale, në ligjet e buxhetit duhet të përfshihen ato projekte kapitale të cilave u dihet rëndësia strategjike, ndikimi ekonomik dhe ekzistimi i planit të realizimit.























