Haliti: Në negociata nuk duhet të shkojmë kundër rrjedhës së lumit
BKT
Lajme

Haliti: Në negociata nuk duhet të shkojmë kundër rrjedhës së lumit

B. Halimi | RTKlive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në një intervistë në magazinën "Lajmet e Fundit" në RTK, ku folur për zhvillimet e fundit dhe dialogun në Bruksel.

Ai tha se qëndrimet e ngurta të kryeministrit Kurti kanë krijuar një situatë ku askush nga faktorët ndërkombëtar nuk e mbështet dhe kjo sipas tij ka hapur një debat të pafund se çfarë po ndodh me vendin.

Dakordimin e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për Deklaratën për Çështjen e të pagjeturve, ai e ka vlerësuar të mirë, por ka thënë se “Serbia nuk do ta zbatojë atë sepse ka presion nga Rusia për të mos e pranuar sepse hapja e varrezave ku janë vendosur të zhdukurit e akuzon Serbinë penalisht ndërkombëtarisht”.

Ndërkaq, duke folur për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe shkarkimin e Grupit Menaxhues nga Qeveria e Kosovës, deputeti i PDK-së ka vlerësuar se çështja e Asociacionit është kruciale në dialog.

“Asociacioni është një çështje kruciale në dialog, ashtu siç është problemi i mospengimit të Serbisë për njohjet e mëtutjeshme dhe mospengimi i të dyja vendeve drejt integrimit evropiane. Ato janë marrëveshje që janë nënshkruar edhe në vitin 2013 dhe 2015... Nuk janë zbatuar dhe s’ka pasur mundësi të zatohen për shkak të shumë faktorëve, por njëri nga faktorët më agresivë ka qenë Kurti, i cili ka goditur institucionet e Kosovës dhe pozitën e atëhershme me të gjitha format”, ka thënë Haliti.

Tutje deputeti i PDK-së ka theksuar se në negociata “nuk duhet të shkohet kundër rrjedhës së lumit dhe se duhet të vazhdohen bisedimet me evropianët dhe amerikanët, që janë faktorë kryesorë për pavarësinë e Kosovës”.

Ai ka thënë se ka specialistë të fushës që mund të ndihmojnë në këtë proces dhe ka vlerësuar se draft propozimi i statutit të Asociacionit është bërë nga specialistë të Vuçiqit.

“Ata e kanë propozuar draftin, por ti duhesh t’i vazhdosh bisedimet prapë. Aty janë evropianët, janë amerikanët, janë të gjithë ata që janë faktorë kryesorë që Kosova është e pavarur. Jo të pranohet drafti, por nuk është dashur të merren hapa të pamatur çfarë bëri ai (Kurti). Nuk është me rëndësi shkarkimi i atij grupi, me rëndësi është të fillosh negocimin me SHBA-në dhe Evropën lidhur me statutin që e kanë propozuar ata”, ka shtuar Haliti.

Sipas Xhavit Halitit Asociacioni nuk ka të bëjë me Republikën Serbe dhe nuk ka kompetencat e saj, por se Kosova ka disa detyrime, përfshirë edhe zgjedhjen e komandantit të policisë nga komuniteti serb në zonat me shumicë serbe. Por, ai ka thënë se këto janë marrëveshje që nuk mund të shkelën lehtë. Ai ka kritikuar faktin që Kosova nuk ka bërë vetë Statutin e Asociacionit ose me një komision të përbashkët, duke e cilësuar këtë si gabimin më të madh.


MË SHUME NGA Lajme