Nora Gjakova mbetet pa medalje
B. H. | RTKlive
(Plotësuar) Kampionia olimpike, Nora Gjakova ka mbetur pa medalje në Kampionatin Botëror të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.
Ajo u përpoq të arrijë deri te medalja e bronztë me dy luftra përmes repesazhit, pasi humbi në çerekfinalja nga garuesja turke, Hasret Bozkurt. Mirëpo, në luftën e parë të repesazhit humbi nga Mimi Huh e Koresë së Jugut me wazzari në kohën shtesë.
Kësisoj, Nora e mbylli Kampionatin botëror në pozitën e shtatë.
Nora nuk arrin gjysmëfinalen, por ende në luftë për të bronztën
Nora Gjakova nuk ka arritur të kalojë në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të xhudos në Katar.
Ajo në çerekfinale të kategorisë deri 57 kilogramë është mundur nga turkja Hasret Bozkurt, që më herët gjatë ditës e eliminoi edhe kampionen botërore, Rafaela Silva.
Bozkurt realizoi hedhje për Ippon dhe iu gëzua fitores. Tani Nora e vazhdon garimin në repesazh, ku i duhen dy fitore për t’u stolisur me medaljen e bronztë.
Akil Gjakova pëson humbje nga italiani Lombardo
Akil Gjakova ka pësuar humbje në raundin e tretë të Kampionatin Botëror të xhudos në Katar, duke e humbur mundësinë të futet në zonën e luftave për medalje.
Në kategorinë deri 73 kilogramë, Gjakova pësoi nga italiani Manuel Lombardo. Ky i fundit fitoi me Ippon pas një lufte të fortë.
Flaka eliminohet në raundin e dytë
Flaka Loxha është eliminuar në raundin e dytë të Kampionatit Botëror në Katar. Flaka pësoi humbje nga braziliania Jessica Lima, në kategorinë deri 57 kg. Braziliania fitoi me një wazzari.
Edhe Nora Gjakova e nis me fitore
Edhe kampionia olimpike, Nora Gjakova e ka nisur me sukses paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror të xhudos në Doha të Katarit.
Ajo në raundin e dytë të kategorisë deri 57 kilogramë arriti ta mposhtë xhudisten italiane, Thauany Capanni Dias. Në raundin e parë ajo ishte e lirë.
Akil Gjakova fiton edhe duelin e dytë në Botëror
Akil Gjakova ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyeshme edhe në luftën e dytë në Kampionatin botëror të xhudos, që po mbahet në Doha të Katarit.
Akili fitoi ndaj jugkoreanit Heoncheol Kang me hedhje për Ippon, duke dëshmuar formë shumë të mirë në këtë kampionat.
Edhe Flaka Loxha e nis mbarë paraqitjen në Botëror
Flaka Loxha ka shënuar një fitore të rëndësishme në Kampionatin Botëror të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit. Ajo e ka mundur kundërshtaren e saj Christianne Legentilin e Mauriciusit në kategorinë deri 57 kg në xhiron e parë.
Fitoren e saj e ka siguruar me një Ippon në kohën shtesë. Legentil është një kundërshtare e njohur në botën e xhudos, pasi kishte arritur ta mundte Majlinda Kelmendin në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012. Kësaj radhe Majlinda Kelmendi ishte trajnere e Flaka Loxhës dhe kjo e fundit arriti fitore të rëndësishme, duke u hakmarr edhe për humbjen e Majlindës në vitin 2012 dhe duke dëshmuar se sporti i xhudos në Kosovë ka perspektivë të jashtëzakonshme.
Akil Gjakova fiton duelin e parë në Botëror
Xhudisti kosovar Akil Gjakova ka arritur fitore të shkëlqyeshme në luftën e parë të tij në Kampionatin botëror të xhudos, që po mbahet në Doha të Katarit.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë, ai u ballafaqua me përfaqësuesin e Rumanisë, Adrian Sulca. Akili shkëlqeu në këtë duel, duke realizuar hedhje të bukura për wazari dhe duke kontrolluar plotësisht luftën në tapet. Sulca u dënua me tri shenja penaliteti dhe kjo i dha fitoren e merituar Akil Gjakovës me Ippon.























