Seanca në Speciale vazhdon të jetë më shumë e mbyllur
Foto: RTKlive
Gjykata Speciale

Seanca në Speciale vazhdon të jetë më shumë e mbyllur

J.Musliu/RTKlive

Është rrëzuar kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit Rexhep Selimi, lidhur me përjashtimin e disa pjesëve të procesverbalit, nga seanca gjyqësore e 19 prillit 2023.

Ky është vendimi që mori gjykatësi Charles Smith, në seancën e së mërkurës, që ka nisur në orën 10:00, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ndonëse pjesa më e madhe e seancës po mbahet e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim  për dëshminë nga seanca e asaj date.

 “Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka raste ligjore, të parashikuar me ligje apo në rregullore që t’i japë të drejtë trupit gjykues të heqin nga procesverbali pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, tha ai.

Në fillim të seancës është bërë një ndryshim në procesverbal, sa i përket një prove materiale e cila është dyfishuar, andaj dy dokumentet kanë mbetur nën numrin e njëjtë të provës.

Gjatë seancës së sotme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë. Megjithatë, pjesa më e madhe e dëshmisë së tij, vazhdon të jetë e mbyllur për publikun.

Sot në Hagë vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi e të tjerët”

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale