Pavarësisht shkallës së dënimeve, të burgosurat janë në një vend
BKT
Foto: RTKlive
Në Fokus

Pavarësisht shkallës së dënimeve, të burgosurat janë në një vend

Intervistoi: Mejreme Tahirukaj / Radio Kosova

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës përveç që merret me viktimat, kjo organizatë bënë edhe monitorimin e çështjes së të Drejtave të Njeriut nëpër institucionet korrektuese të vendit. Feride Rushiti, drejtoresh ekzekutive e QKRMT-ës, në një intervistë për Radio Kosovën thotë se në Shërbimin Korrektues ka pasur progres për sa i përket të drejtave të njeriut nëpër institucionet korrektuese.

Radio Kosova:  Zonja Rushiti, gjatë monitorimit tuaj nëpër burgjet e Kosovës, a keni vërejtur se a janë duke u respektuar të drejtat e njeriut për personat e privuar nga liria?

Feride Rushiti:Realisht karshi viteve të kaluar ka pasur progres në Shërbimin Korrektues. Ne e falënderojmë Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues që i ka dhënë një prioritet pak më të madh. Tash veç i kemi tri ligje në fuqi që e rregullon pak më mirë mandatin e këtyre institucioneve për të drejtat e të burgosurve më shumë. Ndërkaq neve si organizata na mbetet të shohim se si po zbatohen këto ligje në teren.

Radio Kosova: Si qëndron çështja e personave me çrregullime mendore nëpër burgje. A duhet të kenë ata një trajtim të veçantë?

Feride Rushiti:Ndër vite ne kemi avokuar për personat me çrregullime mendore apo për personat që kanë sëmundje terminale apo kronike,për personat e moshuar, invaliditet apo nevoja specifike fizike. Neve na ka ardhur keq sepse ata janë trajtuar njëjtë sikur të gjithë të burgosurit e tjerë. Kjo ka paraqitur sfidë për atë pikësëpari që ka pasur shqetësim, pastaj të burgosurin dhe sistemin. Kështu që prej këtij viti do të jetë pavijoni D i cili do të dedikohet për persona që kanë nevoja të veçanta. Neve na mbetet të shohim si organizatë se ky pavijon a do t’i plotësojë kushtet në raport me strehimin, akomodimin kushtet shëndetësore ,shërbimet shëndetësore që ata kërkojnë, sepse secili nga ata ka nevoja të veçanta e natyrisht sistemi duhet t’i trajtojë ata me dinjitet. Në nivel strategjik mendojmë se është shumë në interes të këtë një burg të veçantë për femra. Burgu aktual nuk ka ndarje apo sistematizim të të burgosurave gra. Ka gra atje që mbajnë dënime deri në 20 vjet. Kur ke dënime të tilla, natyrisht që kërkon të kesh aktivitete të lira më shumë. Kërkohet një rutinë dhe regjim komplet tjetër. Në planin strategjik të Ministrisë së Drejtësisë dëgjuam se e kanë në plan të ndërtojnë një qendër që do t’i plotësonte nevojat e të burgosurve, qoftë vajza të reja, qoftë gra të cilat vuajnë dënimin në këto institucione.

Radio Kosova: Në burgje ka edhe nëna me fëmijë. Si trajtohen ato?

Feride Rushiti: Vitin e kaluar kemi parë që është një nënë me një fëmijë. Fëmija është 8 muajsh dhe ka nevoja të veçanta. Sistemi është munduar që t’ia adaptojë rrethanat mirëpo ne mendojmë se duhet më qenë një qendër e veçantë dedikuar për nënën dhe fëmijën. Kemi edhe gra të tjera të cilat bien ndesh me ligjin dhe kanë nevojë ta kenë një tretman dinjitoz për fëmijën e tyre e pastaj edhe për veti sa janë në vuajtje të dënimit. Të kenë tretman ashtu siç e meriton edhe nëna e edhe fëmija.

Radio Kosova: Gjatë monitorimit të organizatës tuaj nëpër burgje, a keni vërejtur edhe kontrabandën si fenomen. Sa është shqetësuese kjo dukuri?

Feride Rushiti: Ka pasur kontrabandë qoftë mjeteve ilegale qoftë telefona, narkotikë dhe gjësende të tjera që nuk i lejon rregullorja e brendshme e burgut. Forma dhe mënyra e futjes së këtyre gjerave ilegale ka qenë përmes familjarëve, pakove ushqimore por edhe përmes stafit të vetë burgut. Kanë qenë 60 raste dhe ne kemi parë se në 11 raste kanë ndërmarrë masa në raport me stafin dhe si dukuri po vjen në ulje e sipër. Kontrabanda shkaktonte pabarazi në burg. Qysh e prek standardin e të drejtave të njeriut në burg?E prek se pasi personat të cilët kishin këto lidhje dhe kontakte kishin një zë më të fuqishëm dhe shkaktojnë tretman jo të barabartë. Kështu që fakti që po luftohet si fenomen dhe po mundohet me të gjitha masat që të parandalohet mendoj, që bënë njëfarëlloj qetësie dhe të burgosurit trajtohen në formë të barabartë ashtu siç parashihet me ligj dhe rregullore të brendshme.

Radio Kosova: A janë duke u trajtuar në mënyrë të barabartë të burgosurit për sa i përket të drejtave të njeriut në të gjitha burgjet e vendit apo ka edhe të atillë që trajtohen në mënyrë të veçantë?

Feride Rushiti: Mund të them se kohët e fundit është arritur një standard i barabartë në Shërbimin Korrektues të Kosovës në qendër të paraburgimit ka një tretman. Ka pasur periudha kohore kur ka pasur standarde të dyfishta nëpër disa qendra korrektuese të Kosovës. Tani këto standarde të dyfishta ndoshta edhe me ndërtimin e burgut të sigurisë së lart janë zhdukur, nuk janë pjesë e sistemit. Mund të themi se të burgosurit kanë një tretman të barabartë. Tash si do të ndikojë marrëveshja ndërkombëtare me Danimarkën për transferin e 300 të burgosurve në burgun e Gjilanit, kjo mbetet për t?u parë dhe ne si organizatë e kemi paraqitur shqetësimin tonë dhe do e monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme që kjo marrëveshje ndërkombëtare mos të ndikojë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Radio Kosova: Ju si qendër keni trajtuar edhe viktimat e dhunës seksuale. Cilat kanë qenë sfidat gjatë trajtimit të tyre dhe çfarë është arritur në tejkalimin e traumave?

Feride Rushiti: Pa dyshim që të punosh me personat që kanë përjetuar trauma gjatë luftës, nuk është e lehtë, për shkak që këta njerëz ballafaqohen me sfida të ndryshme në shoqërinë kosovare. Vetëm paraqitja në një organizatë apo mekanizëm për t’u rehabilituar paraqet sfidë për ta. Mirëpo tash pas 24 vjetësh është një numër i madh i atyre qofshin të cilët direkt e kanë përjetuar traumën ose edhe familjarët e tyre marrin dhe gëzojnë shërbime të natyrës multidisiplinare qoftë shërbime psikologjike, sociale, juridike apo të medikamenteve dhe kur ata të jenë mirë, ne i fusim edhe në fuqizim ekonomik me idenë që të pavarësohen dhe të bëjnë një jetë normale.

Radio Kosova: Çfarë mund të na thuash rreth punësimit të këtyre personave?

Feride Rushiti: Disa nga këta punojnë me qeramikë. Është një formë e artit ku kryesisht për të mbijetuarit e dhunës seksuale përmes artit të qeramikës shprehin vetveten duke treguar dhimbjen por edhe për të menduar për të ardhmen. Kemi pasur raste kur kemi ndërmjetësuar ne kompani të ndryshe si hotelieri, rrobaqepësi dhe kompani publike .Personat që e kanë tejkaluar traumën i janë qasur punësimit dhe tani janë persona të rregullt në marrëdhënie pune.


MË SHUME NGA Në Fokus