Kurti: SHBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës së Kosovës
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: SHBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës së Kosovës

M.Shefkiu/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës së Kosovës, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Këto komente Kurti i ka bërë gjatë një takimi që zhvilloi me një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët amerikanë për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Më tej, gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Qeveria e Kosovës pas këtij takimi.

Ambasadorët thuhet se e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet.

“Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses”.

Sipas njoftimit të ekzekutivit, në këtë takim, kryeministri Kurti gjithashtu i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Kjo vizitë e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, është organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezent në këtë takim.


MË SHUME NGA Lajme