Bordi merr vendim: Kanalet në shqip të RTK-së do ta kenë një kryeredaktor
BKT
Foto: RTK/Arkiv
Lajme

Bordi merr vendim: Kanalet në shqip të RTK-së do ta kenë një kryeredaktor

RTKlive

Në mbledhjen e datës 11 maj, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka marrë vendim për fuzionimin e pozitës së kryeredaktorëve, duke e reduktuar numrin e tyre nga dy apo më shumë në vetëm një kryeredaktor për kanalet në gjuhën shqipe të transmetuesit publik.

“Përmes këtij vendimi përcaktohet që të gjitha përgjegjësitë e secilit kryeredaktor që deri më tani kanë qenë të ndara, t’i kalojnë një kryeredaktori duke nënkuptuar që të gjithë vartësit e kësaj pozite tashmë do të kenë një adresë raportimi në aspektin e hierarkisë”, thuhet në vendimin e Bordit të RTK-së.

Me këtë rast ky institucion ka aprovuar po ashtu hapjen e konkursit publik për Kryeredaktor në transmetuesin publik, përgjegjës për pjesën informative, editoriale dhe programore. Pozita e kryeredaktorit ne RTK prej vitesh është zëvendësuar me ushtrues detyre, njofton Bordi i RTK-së.

Në mbledhjen e datës 11 maj Bordi i RTK-së po kështu ka pezulluar rregulloren për udhëtime zyrtare pas opinionit të zyrës ligjore të RTK-së se ajo është në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës.

“Deri në një vendim të radhës do të zbatohet pershtatshmerisht rregullorja numër 06/2023 për kompensimin për udhëtime zyrtare dhe shpenzime të përfaqësimit e datës 06/02/2022”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.


MË SHUME NGA Lajme