RTK sjell debat për realizimin e premtimeve elektorale
Muharrem Miftari/RTKlive
Kryetarët e komunave në Kosovë janë pothuajse në gjysmë të mandatit dhe se a i kanë kryer premtimet gjatë fushatës, si dhe sa po kanë sfida në realizimin e tyre nga 16 maj RTK, në kuadër të magazinës “Info Plus”, në ora 17:20, do të mund të sjellë debat ndërmjet kryetarit dhe opozitës. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me Institutin GAP, që është një prej organizatave që në vazhdimësi ka ndjekur punën nëpër komuna.
“GAP në vazhdimësi ka pasur si komponencë të saj qeverisjen lokale me fokus kryesor premtimet elektorale në vazhdimësi që nga viti 2008 e këndej”, deklaroi Bekim Salihu, analist i politikave në GAP, i cili vuri në dukje premtimet në mandatet e shkuara e që, sipas tij, në mandatin e fundit janë bërë premtime elektorale në zgjedhjet komunale që, kthyer në shifra, janë 1861 premtime elektorale, por nga 31 komuna që i ka Kosova, vetëm 7 prej tyre kanë arritur të mbajnë premtimet e dhëna, ndërkohë që bëri të ditur se 10 komuna me shumicë serbe nuk përfshihen në monitorimin e as debate të GAP-it.
Salihu më tej sqaroi, në përqindje, realizimet e premtimeve deri në qershor të vitit 2022, me të cilat disponon Instituti GAP.
“Pra në këtë periudhë janë përmbushur vetëm 9 për qind, që është pak, por kemi parasysh është ende herët, ndonëse janë të dhëna preliminare, ndërkohë që ka pak premtime të finalizuara, GAP bën përditësime në realizimin e premtimeve, që, në raste të caktuara, disa premtime mbeten të papërmbushura, ngase janë në proces të vazhdimit në mandatin vijues, prandaj, këto premtime nënvizohen si të papërmbushura plotësisht”, deklaroi Salihu, për “Info Plus”, në RTK.
Ai shtoi se kryetarët e komunave kanë jo vetëm premtime, por edhe vizion para qytetarëve.
“Ndërkaq prej kryetarëve që ka dhënë premtime më së shumti premtime është kryetari i Prishtinës me 206 premtime, pastaj kryetari i Mitrovicës, i Prizrenit, i Pejës, etj., derisa në mandatet e kaluara, fjala vjen, në mandatin 2017-221, gjithsej kanë dhënë 903 premtime”, bëri të ditur Salihu.
“Mesatarja e përmbushjeve të premtimeve ka qenë deri në 55 për qind”, njoftoi ai.
Salihu më tutje vuri në pah se në cilat dikastere janë dhënë premtimet, e që sipas tij, premtimet më së shumti janë dhënë në: Shërbime Publike, Infrastruktrurë, Kulturë, Ekonomi, Bujqësi, Urbanizëm, etj.
Transparenca
E lidhur me transparencën në komuna, Salihu theksoi e është krijuar një kulturë institucionale, ngase, shtoi ai, është bërë një përvojë. “Në këtë mandat është manifestuar një risi në qeverisjen lokale, p.sh. ‘Ligji për paga’, meqë është një përmirësim të kushteve të udhëheqësve lokalë”, deklaroi Salihu.
Në këtë drejtim , Salihu vuri theksin te ueb-faqja që janë jofunksionale, por jo për fajin e komunave, por për faj të nivelit qendror, MAPL, që është e pamundur të bëjnë përditësimin e të dhënave financiare etj.
“Referuar në Ligjin për Qasjen Publike, në të dhënat e dokumenteve zyrtare komunat japin përgjigje, që është një dëshmi se komunat janë transparente”, shtoi mes tjerash, Salihu në “Info Plus”, në RTK.
Ai mes tjerash dha edhe një fakt që në vitin 2008-2017 ka pasur raste të ndërhyrjeve të Policisë e Prokurorisë në raste kur është vërejtur shkelje të detyrave, ndërkohë që nga 2017 e deri në këtë mandat nuk kemi këso rastesh të ndërhyrjeve, që d.m.th. kemi përmirësim të qeverisjes në nivelin lokal.
Bashkëpunimi me nivelin qendror
Lidhur me këtë çështje Salihu sqaroi se komunat kanë një autonomi lokale që sigurohet përmes të hyrave vetanake e kompetencave vetanake, që nuk guxojnë të cenohen e as të tjetërsohen, sepse ka të bëjë me cenim e tjetërsimin bazë të qeverisjes lokale
Të hyrat vetanake, sqaroi më tutje Salihu, janë të hyrat e komunës edhe menaxhohen nga ato, dhe qeveria nuk ka të drejtë të menaxhojë këto, derisa shtoi se komunat po i shfrytëzojnë grantet të dhuruara nga qeveria dhe i kursejnë të hyrat vetanake, që nuk do të duhej të ndodhte, por që Ministria nuk ka të drejtë të ndërhyjë, por që të rregullonte përmes një ligji që komunat të mos t’i bartë më shumë se 3 vjet nga viti në vit.
“Puna e GAP ka të bëjë, përveç se përmirësim të politikave publike, edhe me informim”, tha Salihu në Info Plus, në RTK.























