Finlanda konfirmon vazhdimin e përkrahjes për Kosovën
N.Mekolli /RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, me të cilin bisedoi, ndër të tjera, për raportet dypalëshe dhe zhvillimet politike në vend e rajon.
“Kryetari Konjufca vlerësoi partneritetin dhe marrëdhëniet e mira dhe gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen koherente që Finlanda i ka dhënë ndër vite Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit, integrimit evropian dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar. Me këtë rast, ambasadori Nissinen falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit finlandez për Kosovën”, njofton zyra për informim e Kuvendit.
Bëhet e ditur se në takim u ritheksua gatishmëria për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Finlandës.























