Ylfete Fanaj zgjidhet shqiptarja e parë ministre kantonale në Zvicër
Valjeta Kosumi|RTKlive
Ylfete Fanaj është shqiptarja e parë që zgjidhet ministre kantonale në Zvicër, njofton 20min.ch.
Sipas mediumit zviceran, Fanaj ka fituar përfaqësimin e kantonit të Lucernit.
Ky është posti më i lartë ekzekutiv që një shqiptare mban në Zvicër.
Pesë kandidatë u angazhuan në turin e dytë të zgjedhjeve. Fitues dolën Armin Hartmann (SVP) dhe Ylfete Fanaj (SP).
Në fund të garës, Fanaj me 45,053 vota fitoi kundrejt 39,674 votave të rivales Claudia Huser-i.
Më 2 prill 2023, u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve të qeverisë së Lucernit për periudhën 2023-2027.
Në raundin e parë, tre kandidatë arritën numrin absolut të votave: Fabian Peter, Reto Wyss dhe Michaela Tschuor.
Tani, sërish ka dy gra në këshillin me pesë anëtarë, që më parë dominohej plotësisht nga meshkujt, për vite me radhë.























