Osmani uron Fanajn si ministre e parë kantonale me origjinë nga Kosova
BKT
Lajme

Osmani uron Fanajn si ministre e parë kantonale me origjinë nga Kosova

Fadil Sertolli / RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj si ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidentja Osmani ka thënë se Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme.

“Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim”, ka thënë Osmani, duke shtuar se sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive.

“Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme. Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën”, ka thënë Osmani.


MË SHUME NGA Lajme