Kurti: Të arriturat e Fanajt janë inspirim për mërgatën në Zvicër
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Ylfete Fanajn që u zgjodh ministre në qeverinë kantonale në Luzern.
Kurti ka thënë se të arriturat e Fanajt janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën në Zvicër.
“Shqiptarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe e para që udhëhoqi me Parlamentin e këtij Kantoni, Ylfete Fanaj, sot u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit. Si pionere shqiptare në politikë, të arriturat e saja janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën tonë në Zvicër, e cila për shumë vite tani i shërben me besnikëri shtetit zviceran”, ka shkruar Kurti.
E ky, sipas Kurtit, nuk ishte urimi i parë për znj.Fanaj, dhe duket se nuk do të jetë i fundit.
“I dëshiroj suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja. Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”, ka shkruar Kurti në urimin e tij.























