Mevlan Zeka shpallet “Ylli i Javës” në Superligë 
BKT
Sport

Mevlan Zeka shpallet “Ylli i Javës” në Superligë 

B. Halimi | RTKlive

Sulmuesi i krahut i SC Gjilani, Mevlan Zeka është shpallur fitues i çmimit “Ylli i Javës” për javën e 34-t në Superligën e Kosovës në futboll.

Çmimin të cilin e ndan çdo javë Federata e Futbollit e Kosovës në partneritet me sponsorin e Superligës, Albi Mall, këtë javë me vlerësim të Komisionit të përbërë nga veteranët e futbollit e ka fituar futbollisti i skuadrës gjilanase, pasi me golin e shënuar nga penalltia siguroi një pikë të madhe në derbin e madh kundër Dritës.

Zeka u shpreh i lumtur që mori këtë çmim, derisa theksoi se skuadra e tij është afër arritjes së objektivave të këtij edicioni.

 "Kënaqësi e veçantë të shpallesh "Ylli i Javës” sidomos në ndeshjen derbi të qytetit, kur dihet rivaliteti i dy klubeve. Personalisht po kaloj në një formë të mirë tek SC Gjilani dhe po e ndihmoj skuadrën drejt arritjes së objektivave, pasi tani jemi në finale të Kupës dhe shumë afër sigurimit të plasmanit në Evropë. Për formën timen padyshim që duhet të falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Ky çmim i dedikohet tifozëve ‘Skifterat’, të cilët pavarësisht rrugëtimit tonë, e që nuk ka qenë i lehtë, na kanë qëndruar gjithmonë afër gjatë tërë vitit”, ka theksuar Mevlan Zeka për faqen zyrtare të FFK-së, pasi e mori çmimin.

Barazimi në derbin e djeshëm e ndihmon Gjilanin drejt sigurimit të pozitës së tretë, e cila dërgon në garat evropiane, derisa Dritës ky barazim mund t'i kushtojë me titullin e kampionit, ngase tashmë renditjen e kryeson Ballkani, me 69 pikë.