I zhdukuri nga Shtërpca gjendet në Suharekë, policia e kthen në familje
M.Sh/RTKlive
Policia e Kosovës nga rajoni i Shtërpcës, tri ditë më parë, kishte pranuar një informacion se një qytetar serb nga fshati Biti i kësaj komune, ishte zhdukur pa gjurmë. Dhe menjëherë policia me ndihmën e FSK-së dhe të qytetarëve, kishte filluar kërkimin e tij, ndërsa thuhet se ky operacion është ndërprerë sonte rreth orës 21:00, pasi i zhdukur u gjet shëndosh e mirë në rajonin e Suharekës.
“Me datë 12.05.2023, rreth orës 07:50 policia e stacionit në Shtërpcë kishte pranuar një informacion për një person të zhdukur nga fshati Biti e Epërme, komuna Shtërpcë. Bëhej fjalë për personin Goran S. Kociç i lindur me 25.04.1994 nga fshati Biti e Epërme, komuna Shtërpcë. Që nga dita e raportimit, ekipet e policisë në bashkëpunim të ngushtë me familjarët e tij, banorë të zonës, Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Gardës Kombëtare nga Forca e Sigurisë dhe ekipe civile nga "Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës" ishin në kërkim të personit të zhdukur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.
Ndërsa sonte rreth orës 21:00, sipas njoftimit, i njëjti person është gjetur në rajonin e Suharekës, i cili fillimisht nga policia është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe sipas mjekëve kujdestarë gjendja e tij shëndetësore është e mirë, nuk ka lëndime.
Për të gjitha veprimet thuhet në njoftimin e policisë, është njoftuar prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Ndërsa personi i gjetur i dorëzohet familjes së tij.
Policia Rajonale e Ferizajt i falënderon ekipet e kërkim shpëtimit nga Forca e Sigurisë , "Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës", policët e stacionit në Suharekë, e në veçanti qytetarët që ndihmuan për gjetjen e tij.























