Takimi në Bruksel dhe e ardhmja e dialogut
M.Miftari/RTKlive
Për takimin e sotëm në Bruksel, por edhe në takimet e mëhershme, në mes të dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi, nga pala kosovare, si dhe Petar Petkoviq, nga pala serbe, ka folur Drilon Gashi, analist politik, i cili që në fillim përmendi anën pozitive të saj, e që ka të bëjë me personat e pagjetur apo personat e zhdukur me dhunë, që, sipas tij, ishte një progres.
“BE-ja e çoi më tutje procesin e dialogut, në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve në përgjithësi, një shenjë që dëshmon se po mundohen të jenë në këtyre të detyrës”, tha analisti Gashi, në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Gashi vuri në dukje pikën dalluese ndërmjet palëve në dialog e që është Asociacioni, që pala kosovare insiston në zbatimin e të gjitha pikave të dakorduara, ndërkohë që pala serbe insiston në zbatimi e menjëhershëm të Asociacionit, ndonëse, sipas tij, në marrëveshjet e dakorduara nuk përmenden se cilat pika duhet realizuara më parë.
E nga ana tjetër, analisti Gashi u shpreh kritik për qasjen që pala ndërkombëtare po ia bën Serbisë, ndonëse, shtoi ai, për qëllim ka largimin e Serbisë nga interesat ruse.
Ndërkaq për palën kosovare, analisti Gashi tha se duhet të vazhdojë punën e saj ashtu siç është duke punuar, që të zbatojë detyrat që janë në përputhje me Kushtetutën, teksa vuri në pah ndryshimin e strategjisë në rajon e gjetkë, duke parë Serbinë si vend të rëndësishëm, me qëllim që ky vend të jetë më afër BE-së, gjë që, sipas tij, tani për tani nuk duket se është reale.
“Kërkohet gjeturi e palës kosovare, që në njërën anë të mbrojë pozicionet e saj dhe në anën tjetër t’i lexojë mirë shenjat që vijnë nga BE e SHBA dhe të jetë e pagabueshme, që nuk është e lehtë, por ajo ka arritur këtë mbështetje deri më tani falë këtij kujdesi”, deklaroi Gashi në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai më tej shtoi se pala kosovare duhet të jetë më aktive në lobim , me ç’rast përmendi një ngjarje me rëndësi që do të mbahet tani, së fundi, në Senatin amerikan ku do të trajtohet raporti i SHBA-së me Ballkanin e që Gashi kujtoi se do të ishte me interes që mbështetësit e Kosovës të jenë prezentë e të ngritin tema e çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.
Kurse sa i përket integrimit të serbëve në institucionet kosovare, Gashi u shpreh se nuk duhet që “ideja e shkëlqyer ta pengojë të mirën”, duke aluduar në përqendrimin te Asociacioni e të lihen anash problemet e përditshmërisë së serbëve të Kosovës, duke marrë si shembull angazhimin e ministrit të Ministrisë për Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cli po përpiqet për integrimin e serbëve në përmirësimin e jetesës së serbëve në Kosovë.
Situata në veri
Analisti Gashi foli edhe për zgjedhjet në veri të vendit, i cili tha se situata është sfiduese, por që në këto rrethana Serbia do të tentojë të shkaktojë kriza në sferën e sigurisë, sepse mendon se do të shkojë edhe më tutje pa u ndëshkuar nga pala ndërkombëtare.
Ndërkaq për hapjen e urës mbi lumin Ibër, analisti Gashi tha se shpreson në racionalitetin, në gjetjen e zgjidhjes që çon në afrimin e komuniteteve atje.
E për vizitën e shefes së USAID-it në Kosovë, analisti Gashi e vlerësoi si një vëmendje të shtuar nga pala e SHBA-së për gjendjen në Kosovë e në rajon, teksa vuri në dukje qëndrimin e zonjës Power më të afërt me Kosovën, për dallim nga vizita e saj në Serbi, ngaqë ajo ishte angazhuar për krimet e luftë e gjenocidin në Bosnjë e në Kosovë.
Diplomacia e Kosovës tani
Lidhur me diplomacinë kosovare në aktivitetin e saj edhe pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel dhe aneksit në Ohër e që është thënë që do të njihet shtetësia e Kosovës nga ato pesë vendet e BE-së, të cilët ende nuk kanë dhënë shenja se do të ndryshojnë qëndrim, analisti Gashi vlerësoi se megjithatë ajo ka pasur një aktivitet të mirë, ngaqë është arritur rezultat në KiE, që shfaqi shpresën se do ta arrihet anëtarësimi brenda 6 muajsh.
Ai shtoi se do të shtohet intensiteti në rrugën e diplomacisë kosovare në bindjen te shtetet mosnjohëse që ta arrijnë ta ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj Kosovës.
“Shpresoj që Greqia të jetë e para që do të lëvizë drejt njohjes së Kosovës”, deklaroi analisti Gashi në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai, lidhur me këtë përmendi situatën në Ukrainë që do të mundë të ndikojë në përmirësimin e raporteve më shtete mosnjohëse, më konkretisht me Sllovakinë, e cila po e ndihmon shumë Ukrainën, që mund të përafrohen qëndrimet pozitive kundrejt Kosovës.























