Një ditë pas raportimit të RTK-së, `reflekton` VisaMetric/Video
BKT
Foto:RTK
Lajme

Një ditë pas raportimit të RTK-së, `reflekton` VisaMetric/Video

M.Sh/RTKlive

Një ditë pasi RTK ka raportuar në edicionin qendror të lajmeve, se kompania VisaMetric nuk po e respekton vendimin e Gjykatës Komerciale për shërbimet postare për pasaporta, duke ua marrë nga 30 euro secilit qytetarë që aplikon për viza në Ambasadën gjermane, kjo kompani ka reflektuar të martën. Përfaqësuesi i VisaMetric ka deklaruar se kompania e ka pranuar vendimin e gjykatës dhe do ta respektojë atë.

"Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të kompanisë Visametric Sh.P.K., (“Visametric”) ju njoftojmë se ne, sot, kemi pranuar Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale lidhur me Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale mbi caktimin e masës së sigurisë ndaj kompanisë Visametric. Duke qenë se ankesa e Visametric, ndaj Aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë është refuzuar dhe aktvendimin e kemi pranuar sot, Visametric do të respektojë Aktvendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Fisnik Salihu, përfaqësues i kompanisë.

Kujtomë se Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë VisaMetric detyrimin e pagesës prej 30 eurosh për dërgesën postare të pasaportës gjatë aplikimit për viza në ambasadën e Gjermanisë.

Në kronikën e djeshme të RTK-së, përgatitur nga Arlinda Sejda, thuhet se çmimi prej 30 eurosh për dërgimin e një pasaporte është shumëfish më i lartë, se sa të njëjtin shërbim që e kryejnë postat private, ose edhe Posta e Kosovës. Ky shërbim, sipas tyre, nuk e tejkalon shifrën prej 10 eurosh.

Pasaporta e Kosovës, siç u tha në kronikë, peshon 38 gram dhe se çmimet për dërgesë të këtij dokumenti nuk e tejkalojnë shifrën 10 euro, madje është dukshëm më pak.

"Kjo dërgesë mund të shkojë brenda orëve në regjion, çmimi për këtë dërgesë është 5.60 centë, nëse shkon jashtë regjionit, ndërkohë që në regjione të tjera është 6, 75 centë, por nëse dërgesa e njëjtë është për ditën e nesërme është 4.20 cent", deklaroi Ferki Maxhuni, ud i drejtorit për Shërbime Postare.

Kompania VisaMetric është e vetmja kompani e autorizuar që ofron shërbime postare nga ambasada gjermane, duke ua sjellë qytetarëve në shtëpi pasaportat, pasi të kenë aplikuar për viza.  

Ndryshe, shërbimi i vizave për BE do të vlejë deri më 31 dhjetor të këtij viti, pasi nga 1 janari i vitit të ardhshëm edhe qytetarët e Kosovës do të përfshihen në sistemin liberal të lëvizjes në zonën Shengen.


MË SHUME NGA Lajme