Eliminimi nga ‘Championsi’, pikënisja e Milan-it
RTSH
Hendeku i krijuar me Interin, për Milanin tashmë është mëse i vërtetë. Nuk ka pasur asnjë paraqitje konkurruese të kuqezinjve ndeshje në katër ndeshjet e fundit. Analizën më të qartë dhe më të sinqertë, si gjithmonë, e bëri Paolo Maldini, pas eliminimit të dhimbshëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga zikaltërit.
Ish-kapiteni i Milanit edhe njëherë vuri theksin tek e ardhmja: “Nëse do të arrijmë të kualifikohemi në Ligën e kampioneve për sezonin e ardhshëm, do të ishte një sezon i mrekullueshëm” – tha ai.
Por ky Milan ka shumë vështirësi të tjera përpara. Maldini tha se ekipi "nuk është i strukturuar për të konkurruar në dy gara" dhe përfundimi i rrugëtimit në Ligën e kampioneve në gjysmëfinale mund të jetë një pikënisje, një mundësi për t'u shfrytëzuar për të investuar dhe për të forcuar skuadrën. Rezultatet e Milanit duhet të ishin më të larta nëse nuk do të ishin bërë gabime në merkaton e verës. Boshllëqet në skuadër nuk janë plotësuar, bastet kanë humbur pothuajse të gjitha dhe për këtë arsye verën e ardhshme duhet të investohet më shumë dhe të shpenzohet më mirë. E nëse Milani ka zënë mend, duhet të fillojë nga rinovimi i Leaos.
Por për ta bërë këtë, duhet patjetër që Milani të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye është absolutisht e ndaluar të humbasin më pikë të tjera në kampionat.
Tre ndeshje, kundër Sampdorias, Juventusit dhe Veronës, absolutisht që nuk duhen humbur. Stefano Pioli dhe djemtë e tij, do të luajnë një pjesë të madhe të së ardhmes në javët në vijim për të arritur synimin, vendin e katërt dhe milionat që sjell me vete kjo gjë.























