KDI: Kuvendi me mungesë kuorumi, deputetët mungojnë pa arsyeje
M.Shefkiu/RTklive
Mungesa e kuorumit vazhdon të jetë një problematikë që po e pengon përmbushjen e funksionit të Kuvendit të Kosovës, thuhet në një raport të KDI-së. Ky problem kronik, siç e quan kjo organizatë monitoruese, po e stërngarkon agjendën e Kuvendit pasi pikat të cilat nuk po arrijnë të miratohen në një seancë, po barten në seanca tjera.
Për pasojë, jo rrallëherë rendi i ditës së një seance të vetme, sipas KDI-së, përmban 30 deri 60 pika për shqyrtim.
“Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit”, thuhet në raportin e KDI-së.
Ndërsa me mungesë të kuorumit thuhet se janë përballur edhe komisionet parlamentare.
“Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit. Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura”, thuhet në raport.
Kur analizohen statistikat e pjesëmarrjes së deputetëve që kur ka filluar sesioni pranveror, sipas KDI-së, del se në çdo seancë në listat e nënshkrimeve janë të evidentuar mesatarisht 90 deputetë. “Me përjashtim të një seance gjatë muajit prill ku janë evidentuar vetëm 46 deputetë”, konsideron KDI.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca gjatë seancës së mbajtur me 19 prill me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, “kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”. Në këtë nomenklaturë, sipas KDI-së që monitoron punën e Legjislativit, 40% e deputetëve janë zgjedhur për herë të parë.
Në këtë raport ritheksohet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit lidhur me zgjedhjen e Presidentit i datës 22 shkurt 2011. “Aty Gjykata ka theksuar se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për Deputetët, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata”, kujton KDI.
Në këtë raport përmendet edhe bojkoti politik, kryesisht nga deputetët e Listës Serbe dhe dy deputetët tjerë të afërm me këtë subjekt politik, Adem Hodza dhe Fadil Gashi që përfaqësojnë grupet tjera minoritare.
“Subjekti politik në pushtet nuk po arrin që të sigurojë që të paktën deputetët e tij të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit. Natyrisht se barrën kryesore për të siguruar numrat në Kuvend e ka subjekti politik në pushtet, i cili duhet të arrijë të menaxhojë me dallimet brenda partiake në qëndrime, duke siguruar një kohezion politik dhe partiak që reflekton në seanca, natyrisht, pa ndërhyrë në mandatin e pavarur të deputetëve. Në përgjithësi, kjo sfidë i ka përcjellë e të gjitha subjektet/koalicionet që kanë qenë në pushtet”, thuhet në raportin e KDI-së.
Megjithatë, siç u cek më lartë legjislacioni në fuqi dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve nuk i amniston as partitë opozitare për të marrë rregullisht në punimet e Kuvendit.
Në këtë raport përmendet edhe ndëshkimet e buta ose mosndëshkimet ndaj deputetëve, përfshirë edhe jotransparencën e Kuvendit në raport me deputetët që mungojnë dhe mostransparenca e të dhënave se si kanë votuar ata, në raste kur votojnë.























