Kryetarët ‘teknikë’ të veriut’|Video
Edona Podvorica/RTK
Na ndajnë vetëm dy ditë nga seanca solemne e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq. Atiq dhe tre kryetarëve të tjerë që dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit, për komunat veriore, ambasadori amerikan në Kosovë, ua dërgoi një mesazh të qartë.
Jeff Hovenier pret që kryetarët e sapozgjedhur të kenë rol teknik e jo politik, marrë për bazë pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhje.
RTK pasdite i nisi pyetje Ambasadës Amerikane në lidhje me këtë çështje. E përgjigjja e ambasadorit amerikan është kërkesë që kryetarët në veri të përmbahen në veprimet dhe iniciativat e tyre, marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.
Ai ndër të tjera ka theksuar se ‘zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë.
Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, Hovenier thotë se presin që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të marrin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën.
Ambasadori amerikan pret që këta zyrtarë të përmbahen nga çdo retorikë, veprim apo iniciativë që nuk i shërben nevojave të të gjithë qytetarëve ose që mund të interpretohet si kontribut në rritjen e tensioneve.
Por, si mund të interpretohet kjo deklaratë e Hovenier dhe çka nënkupton ‘roli teknik’ në rastin e një kryetari komune?
"Vendimet që mund t'i marrin kryetarët e katër komunave, jo domosdoshmërisht, nëse partnerët ndërkombëtarë nuk i konsiderojnë legjitime, njëfarë mënyrë i përfaqësojnë interesat e të njëjtëve, kështu që në këtë kuptim, edhe pse ligji nuk njeh termin "kryetar teknik", i bie që kryetarët e komunave do të jenë kujdestar të ushtrimit të kompetencave që janë të domodsdoshme, por vendimet që i marrin mund të konsiderohet se nuk e kanë legjitimitetin e duhur”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
Gjatë ditës RTK ka provuar të marrë një përgjigje mbi përgatitjet që po bën kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut për dhënien e betimit solemnisht të premten, por ka qenë i pa-qasshëm.
Ndërkohë në InfoPlus, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se respektojnë datat që vendosin vetë kryetarët për ta bërë betimin.
Zgjedhjet e 23 prillit që u zhvilluan në Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq, e të cilat i bojkotoi Lista Serbe, u fituan nga Lëvizja VV dhe PDK.























