FSK gati për "Defender Europe 2023"
Valjete Shala / RTK
Kanë mbetur edhe pak ditë kur Kosova, nga data 21 maj deri më 2 qershor, do të jetë nikoqire e ushtrimit ushtarak më të madh ndërkombëtar në Evropë për këtë vit, “Defender Europe 2023”.
Forca e Sigurisë se Kosovës tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky ushtrim të realizohet sipas objektivave të stërvitjes dhe në përmbushje të misionit të FSK-së.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për RTK-në tha se kjo ngjarje do shërbejë si dëshmi shtesë që FSK dhe Kosova janë të gatshme të bëhen e pjesë e NATO-s.
Pas pjesëmarrjes të suksesshme në ushtrimin “Defender Europe 2021”, Kosova tashmë do të jetë nikoqire në ushtrimin më të madh në Evropë qe udhëhiqet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë. Në këtë ushtrim do të marrin pjesë 26 shtete partnere dhe të NATO-s dhe SHBA-së me mbi 26.000 trupa dhe dhjetëra mijëra pajisje ushtarake.
Në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova është pjesë e Task-Forcës Jug, ku të testohen kapacitetet e Këmbësorisë, aftësitë e Regjimentit të Qëndrueshmërisë dhe Regjimentit të Mjekësisë.
Kështu bëri të ditur për RTK-në komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
“FSK merr pjesë me mbi 1300 trupa të shpërndara në Kosovë në Babaj të Bokës dhe Aeroportin e Gjakovës, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut. Objektivat kyçe për këtë ushtrim janë: Demonstrimi i aftësive operacionale për kryerjen e detyrave; Ndërveprimi i trupave aleate dhe partnere; Si dhe në kuadër të këtij ushtrimi së bashku me ekipet mobile amerikane do të bëhet validimi i aftësive të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë në kuadër të detyrave të tyre për Mbrojtjen e Territorit”, ka thënë Jashari.
Gjeneral Jashari foli edhe për pritjet nga këto ushtrime për njësitë e angazhuara.
“Pres që ushtarakët e FSK të realizojnë këtë ushtrim me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në përmbushjen e detyrave të parapara. Gjithashtu do të testojmë aftësi të reja dhe sisteme të reja të armatimit dhe të bashkëpunojmë me shtete te NATO-s brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të shërbejë si dëshmi shtesë që FSK dhe Kosova janë të gatshme të bëhen e NATO-s”, ka shtuar Jashari.
Ushtrimi “Defender Europe 2023” në Kosovë do të mbahet nga data 21 maj 2023 deri më 2 qershor 2023.
(Agjenda)
Ceremonia e hapjes së ushtrimit fillon të dielën më 21 maj në sheshin ?Skënderbeu? në Prishtinë, nën prezencën e krerëve të shtetit si dhe personalitete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet partnere.
RTK-ja ka të drejtën ekskluzive për të përcjellë këto aktivitete. Të gjitha aktivitetet ushtarake do të realizohen në Aeroportin e Gjakovës dhe ne Poligonin Ushtarak ne Babaj te Bokës në Gjakovë.
Objektiv kryesor i ushtrimit në pjesën e Kosovës janë Operacionet e simuluara të Sigurisë së Zonës me tri nën-detyra ushtarake si: operacionet të mbrojtjes, sulmit dhe stabilitetit, ku njësitë e FSK-së do të aftësohen dhe vlerësohen gjatë këtij ushtrimi.























