Miami Heat fiton ndeshjen e parë ndaj Boston Celtics
B. Halimi | RTKlive
Për herë të tretë në “play-off”-in e këtij edicioni, Miami Heat ka arritur ta fitojë ndeshjen e parë të serisë.
Mbrëmjen e kaluar, ata u rikthyen nga një deficit prej 13 pikësh për të vjedhur kësisoj avantazhin e fushës vendase në finalen e Konferencës Lindore ndaj Boston Celtics, me një fitore 123-116.
Jimmy Butler udhëhoqi sërish Heat me 35 pikë, pesë kërcime, shtatë asistime dhe gjashtë topa të vjedhur. Ai ishte thjesht i mrekullueshëm dhe të kesh një yll të tillë në ekip, sigurisht që e bën më të lehtë përballimin e një deficiti dyshifror. "Unë luaj në një nivel të jashtëzakonshëm sepse këtë ma lejojnë shokët e skuadrës. Nuk më kufizojnë në lojë, më besojnë topin në duar dhe në mbrojtje, këtë e ëndërron çdo basketbollist", tha Butler. Te Celtics më efikasi ishte Jayson Tatum, me 30 pikë.























