Klopp dënohet për deklaratat ndaj gjyqtarit
BKT
Sport

Klopp dënohet për deklaratat ndaj gjyqtarit

Uran Krasniqi / RTKLive

Jurgen Klopp do ta shikojë nga tribuna ndeshjen në shtëpi të Liverpoolit me Aston Villa të shtunën.

Gjermani është pezulluar me dy ndeshje për shkak të komenteve që ai kishte bërë për gjyqtarin Paul Tierney pas fitores së Liverpoolit ndaj Tottenhamit në prill.

Liverpool kishte fituar ndeshjen ndaj Tottenhamit me shifrat 4-3 teksa të kuqtë i ishin falur një goli të Diogo Jotas në minutat shtesë. Festa në Anfield ishte e tepruar me trajnerin Jurgen Klopp që kishte shprehur gëzimin para syve të arbitrit të katërt, duke u ndëshkuar nga gjyqtari kryesor, Paul Tierney. Gjermani ishte tejet i nevrikosur me gjyqtarin kryesor pasi ai kishte akorduar një faull nga i cili kishte ardhur goli i tretë i Tottenhamit. Ndërkohë pas sfidës, Klopp e kishte vënë në thumb gjyqtarin, Paul Tierney. 

"Ne kemi historinë tonë me Tierney. Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë ka ai kundër nesh. Ai ka thënë se nuk ka probleme, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë", kishte thënë trajneri gjerman pas ndeshjes.

Dhe Federata Angleze e Futbollit nuk ka heshtur përballë deklarimeve të tilla. 

“Jurgen Klopp është suspenduar për dy ndeshje dhe është gjobitur me 75 mijë funte pas komenteve që ai bëri në media pas ndeshjes së Liverpool në Premier League kundër Tottenham Hotspur të dielën më 30 prill 2023", thuhet në njoftimin e FA. "Ai pranoi se komentet e tij në lidhje me arbitrin e ndeshjes gjatë intervistave në media pas ndeshjes përbëjnë sjellje të pahijshme pasi nënkuptojnë njëanshmëri, vënë në dyshim integritetin e gjyqtarit, janë personale dhe ofenduese". 

Pjesa e parë e dënimit do të kryhet menjëherë, ndërsa e dyta pezullohet deri në fund të sezonit të ardhshëm në pritje të sjelljes së ardhshme.