E konfirmon policia: Situata në veri, tërësisht e qetë!
V.Shatrolli & E.Avdiu/RTK
(Plotësuar) Policia e Kosovës deklaron se sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
“Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim”, deklaron policia.
Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës njofton se ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës.
“Qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”.
Policia sqaron se situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik.
Ministri Krasniqi i ofron mbështetje kryetarit të Mitrovicës së Veriut
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka uruar punë të mbarë kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
“Sot, pas ceremonisë së betimit, kisha nderin të pritem në takim nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq”, shkroi Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Krasniqi, që ishte pjesë e betimit të Atiq, deklaroi se Qeveria do ta mbështesë çdo veprim dhe vendim të kryetarit të ri të kësaj komune.
“Do të angazhohemi si qeveri në mbështetje të kryetarit për përmbushjen e obligimeve dhe krijimin e kushteve sa më mira për qytetarët”, shkroi ai. “Në shërbim të qytetarëve”.
Përndryshe, gjatë konferencës për media të kryetarit të ri të komunës së Mitrovicës së Veriut, ministri Krasniqi deklaroi se është e rëndësishme që qytetarët e pjesës veriore të kenë shërbime cilësore, njofton Klankosova.tv.
“Secili veprim dhe vendim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror – si qeveri dhe ministri jemi në mbështetje të të gjithë kryetarëve”, tha Krasniqi.
Erden Atiq kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 66 përqind të votave në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.
Atiq: Synojmë normalizimin e gjendjes në Mitrovicën e Veriut|Foto
Erden Atiq, pas betimit, në deklarimin e parë para mediave pasi bëri betimin si kryetar i Mitrovicës së Veriut, u shpreh se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.
“Me gjithë ekipin shprehi se do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim”, tha Atiq.
“Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës, i bëjë ftesë gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”.
Atiq tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut. Ai u pyet edhe se kur do të hapet Ura e Ibrit.
Për këtë, Atiq nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por vetëm tha se komuna nën udhëheqjen e tij ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe heqjen e pengesave.
“Së bashku jam me nënkryetaren Katarina Hagangjiq, do të punojmë me një ekip shpresëdhënëse. Me neve është ministri Elbert Krasniqi, po ashtu është kryesuesi i kuvendit, Nexhat Uglanin”, tha ai.
Përfundon betimin, Atiq zyrtarisht kryetar i Mitrovicës së Veriut
Ka përfunduar ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Ai bëri betimin në Kuvendin Komunal, në procedurë kjo solemne, për të marrë detyrën si kryetar.
“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t'i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha Atiq në deklaratën e betimit.
Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet lokale të 23 prillit, pasi të njëjta u bojkotuan nga serbët lokalë, në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Atiq gati të betohet si kryetar i Mitrovicës së Veriut
Rreth orës 11:00, pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Ai fitoi në zgjedhjet lokale të 23 prillit dhe është nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këto momente, Atiq ka hyrë në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut ku edhe do të mbahet ceremonia.
Aktualisht situata është e qetë në këtë komunë dhe ka nivel të shtuar të prezencës së institucioneve të sigurisë. Gjithashtu, ka interesim të madh të mediave për ta ndjekur këtë ceremoni.
Për herë të parë, në ndërtesën e komunës është vendosur edhe flamuri i Kosovës.
Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin, nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.
Ndërkaq më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale, ku nuk u raportua për ndonjë incident.
Lista Serbe nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Këto komuna kanë mbetur pa kryetarë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë pjesë dhanë dorëheqje nga vendet e punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS.
RTK do ta transmetojë drejtpërdrejt ceremoninë e betimit.



























