Kurti: Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore
BKT
Lajme

Kurti: Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore

E,H,RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore.

Kurti këtë deklaratë  e bëri në Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.

"Në ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim njohim dhe vlerësojmë pasurinë e shumëllojshme të shtetit tonë, dhe rolin e saj në promovim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut", ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka thënë se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë.

"Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta.Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore", ka shkruar ai.

Sipas tij, shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë.

"Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t'i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë.Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave".

Ai tha se objektivi i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore.

"Bashkë do të sigurohemi që pasuria jonë kulturore të përkthehet në mirëqenie për qytetarët tanë", ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme