Rami Hadar prezantohet si përzgjedhës i Kosovës në basketboll
BKT
Foto: FBK
Sport

Rami Hadar prezantohet si përzgjedhës i Kosovës në basketboll

B. H. | RTKlive

Rami Hadar është përzgjedhës i ri i Kombëtares së Kosovës në basketboll. Ai është prezantuar sot nga Federata e Basketbollit në një konferencë për media në Prishtinë.

FBK ka nënshkruar kontratë me trajnerin izraelit deri në vitin 2026.

Hadar e udhëhoqi së fundmi Pejën deri te titulli i kampionit të Kosovës, pas një serie fantastike të finaleve të ‘play-off’-it ndaj Trepçës.

Ai do të vazhdojë punën edhe në ekipin pejan, teksa ka premtuar se do të bëjë më të mirën e mundshme që Kombëtarja e Kosovës të ketë sukses.

Hadar ka shprehur mirënjohjen ndaj Federatës për mundësinë e dhënë dhe e sheh këtë angazhim si një sfidë të rëndësishme në karrierën e tij.

Pas tre muajsh të kaluar në Kosovë, Hadar ka thënë se ka mësuar shumë për kulturën vendase dhe se ka takuar njerëz fantastikë.

“Ndjehem si pjesë e këtij vendi. Jam tepër krenar dhe do të jap më të mirën që të kemi rezultate të mira. Besoj në pasionin, ekipin dhe gjithë përkrahjen që do ta kem”, ka thënë Hadar.

Hadar ka theksuar se objektivi i parë është të arrijë rezultate pozitive, pasi sipas tij basketbolli përfaqëson një sport që bazohet në rezultate.

“Objektivi i dytë është zhvillimi i gjeneratës së re të basketbollistëve kosovar gjatë kësaj periudhe”, ka shtuar trajneri izraelit.

Vendimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës për të angazhuar trajnerin e suksesshëm izraelit ka për qëllim të forcojë dhe të rrisë nivelin e basketbollit në Kosovë, me shpresa për të arritur rezultate të mira edhe në arenën ndërkombëtare.

Hadar do ta udhëheq Kosovën në fazën parakualifikuese për Eurobasket 2025, e ku për kundërshtarë në grup do të ketë Zvicrën dhe Danimarkën.

Rami Hadar gjatë karrierës ka udhëhequr edhe skuadrat e njohura izraelite,  Maccabi Tel Aviv, Hapoel Tel Aviv dhe Hapel Be’er Sheva, por kjo është hera e parë në karrierë që do ta drejtojë një ekip kombëtar.