Dështon mbledhja e kryesisë së Kuvendit, opozita akuzon pozitën
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Dështon mbledhja e kryesisë së Kuvendit, opozita akuzon pozitën

Albana Bajrami / Radio Kosova

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për caktimin e seancës së re plenare në Kuvendin e Kosovës, që parashihej të mbahej këtë të enjte.

Ndërkohë, para medieve, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, fajësoi Qeverinë për mos reflektim për sa i përket bllokimit të Kuvendit.

Ai bëri të ditur se të enjten do të thirrej një seancë e re, ku do të vendosej edhe për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Tahiri, foli edhe për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat në veri, për çka tha se gjithçka duhet të shkojë sipas rendit kushtetues.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se bllokimi i Kuvendit nuk është duke ndodhur për fajin e opozitës, por për fajin e qeverisë.

Tahiri, bëri të ditur se AAK ka planifikuar të thërrasë në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati, në seancën që pritej të mbahej këtë javë, lidhur me zhbllokimin e buxhetit për komunat dhe për gjendjen me paga në sektorin publik.

Ndërsa, në një postim në Facebook, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar opozitën për bllokimin e Kuvendit. Ai ka shkruar se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita, derisa i ka lutur deputetët e opozitës, që të heqin dorë nga inatet politike e të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, që sipas tij, hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.


MË SHUME NGA Lajme