Vinicius Jr merr mbështetje pasi u fye në baza racore
BKT
Sport

Vinicius Jr merr mbështetje pasi u fye në baza racore

Uran Krasniqi/RTKLive

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është solidarizuar me futbollistin brazilian të Real Madridit, Vinicius Jr, i cili ishte në shënjestër të fyerjeve raciste. 

Real Madridi është mposhtur nga Valencia me rezultat 1-0 dhe futbollisti brazilian  është fyer nga tribunat e stadiumit të Valencias. Pas kësaj ai e ka quajtur Spanjën vend racist. 

Brazilianit nuk i ka munguar mbështetja. 

"Solidaritet i plotë për Vinicius. Nuk ka vend për racizëm në futboll apo në shoqëri dhe FIFA qëndron pranë të gjithë lojtarëve që janë gjetur në një situatë të tillë", ka thënë Infantino.

Reagim ka pasur dhe nga trajneri italian i Real Madridit, Carlo Ancelotti. 

"Jam shumë i trishtuar, duhet t'i japim fund kësaj sepse jemi në vitin 2023, racizmi nuk duhet të ekzistojë", ka thënë Ancelotti.

Për rastin ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Brazilit. 

"Nuk ka gëzim atje ku ka racizëm. Ti ke gjithë dashurinë tonë dhe dashurinë e të gjithë brazilianëve, Vini", ka thënë Federata braziliane.

Real Madridi ka paraqitur ankesë për rastin.