Në ditën e Presidentit, Osmani përkujton Ibrahim Rugovën
M.Shefkiu/RTKlive
Pavarësia ishte ideali jetësor i ish-presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova të cilin e përjeton ky brez dhe të tjerë pas tij. Kështu ka shkruar në rrjetin social Facebook, presidentja Vjosa Osmani pas homazheve që ka bërë para bustit të ish-presidentit Rugova bashkë me familjen e saj, bashkëshortin dhe dy vajzat.
Pas homazheve, Osmani vizitoi familjen e ish presidentit, që përkon me Ditën e Presidentit të Kosovës.
“Në familjen e Presidentit Rugova, dera është gjithnjë e hapur për miq. Në Ditën e Presidentit, çdo vit pritja shoqërohet edhe me tortën e presidentit, gatuar enkas për këtë ditë nga duart e arta të znj. Fanë, për ta kujtuar atin themeltar të Republikës”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Kujtojmë se më 24 maj 1992, u mbajtën zgjedhjet e para të lira nacionale në Kosovë, në të cilat Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 në Kaçanik dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.
Zgjedhjet atëbotë i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia. E nga ajo ditë, 24 Maji është shpallur si dita e Presidentit të Kosovës.























