Hajdari: Sa herë që po na kritikoni, po na shtoni besimin te populli|Video
M.Miftari&N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar, ora: 13:58) Ministrja Hajdari reagoi ndaj akuzave nga opozita për punën e saj në MINT, nën menaxhimin e saj, duke përmendur të kaluarën e qeverive të mëparshme, sipas saj, me shumë të meta.
Ajo foli për shpenzimet tjera, që kishin të bënin për ekspertët e huaj, për të cilët janë shpenzuar, diku rreth 100 mijë euro për strategji të Industrisë, që, sipas saj, është një strategji me vizion deri më 2030.
“Sa herë që po na kritikoni, neve po na shtoni besimin për qeverisjen tonë te populli dhe gjeneratat tona”, tha ministrja Hajdari
Ajo më tutje shtoi se po ndalet “gjakderdhja financiare” në MINT,të evidentuara nga Auditori i Përgjithshëm.
Kurse për sektorin privat, ministrja Hajdari tha se është rritur regjistrimi i bizneseve ndërkombëtare, ku përmendi numrin e bizneseve, rreth 1873 biznese në periudhën mars 2021-dhjetor 2022, derisa vuri në dukje se në periudhën e tremujorshit të mëtejmë janë regjistruar edhe 300 biznese tjera dhe që prej tyre 80 biznese janë të huaja.
Ministrja Hajdari përmendi edhe rritjen e eksportit, mbështetjen e tyre nga qeveria, si dhe sigurinë qytetare.
(E plotësuar, ora: 12:12) Ministrja Hajdari: Opozita po shërbehet me të dhëna të paplota
Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, në fjalimin e saj tha se, për dallim nga e kaluara, puna në ministrinë që udhëheq ajo është vlerësuar më së miri nga raportet ndërkombëtare, derisa përmendi luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, etj.
Ajo akuzoi opozitën se po shërbehet me të dhëna të paplota, duke krijuar shantazhe, shpifje.
“Skandalet që po i përmendni ju, a janë dokumentuar në ndonjë raport këto skandale që po i përmendni ju?”, pyeti ministrja Hajdari opozitën, teksa përkujtoi auditimet që janë zhvilluar në këtë ministri, për të cilën tha se përveç vonesave në grantet e mëhershme për shkak të proceduarave nuk di se ka ndonjë shkelje.
(E plotësuar, ora: 11:49) Tahiri paralajmëron padi në gjykatë për ministren Hajdari

Kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, shprehu kritika në adresë të ministres së MINT, Rozeta Hajdari, jo vetëm për mosdeklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, por edhe për keqmneaxhimin në ministrinë që ajo udhëheqë.
Ai paralajmëroi se do të ndjekë përmes gjykatës ministren Hajdari për çështjen e rezervave shtetërore.
“Vendi ku ruhen rezervat shtetërore është plotësisht normale të jenë sekrete shtetërore, nuk duhet ditur se ku ruhen rezervat shtetërore, por se sa dhe si është vijuar blerja nga ana e kompanive nuk duhet të jenë sekrete shtetërore”, deklaroi deputeti Tahiri, , derisa përmendi vendet tjera, të cilat deklarojnë për sasinë e rezervave shtetërore, por jo edhe vendin se ku ruhen ato.
“Ministrja Rozeta Hajdari ka bërë vepër penale, që do të ballafaqohet në gjykatë për këtë çështje”, deklaroi, mes tjerash, Abelard Tahiri, kryetar i GP të PDK-së.
Ndërkaq deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kritikoi Ministrinë e Industrisë dhe të Ndërmarrësisë, ngase nuk është treguar e aftë për menaxhimin e krizës ekonomike dhe përballë sfidave që është sprovuar kjo ministri.
“Dështoi në çdo fushë: në menaxhim, në strategji, si he me shumë ushtrues detyre në këtë ministri”, deklaroi deputetja Bunjaku-Rexhepi, derisa vuri në dukej mungesën e vizionit në ministrinë që ministrja Hajdari e udhëheqë.
E deputeti Pal Lekaj, nga radhët e AAK-së lidhur me këtë ministri tha se kjo ministri është Ministria e Paaftësisë, e dështuar deri në palcë.
(E plotësuar, ora: 11:35) Kusari-Lila: Rezoluta e PDK-së mëton të shkarkojë ministren Hajdari

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ftesa për debat për këtë rezolutë propozuar nga PDK, që nga nëntori i vitit të kaluar, kohë kur Ministria përkatëse ballafaqohej me sfida të shumta, e që ka ndërmarrë një mori nismash në ndihmë të qytetarëve për të përballuar çmimet e larta dhe inflacionin, derisa shtoi se me nisma të tilla të grupeve parlamentare mëtohet të krijohen nisma për shkarkime të ministrave, që nuk është diçka e re, se ka ndodhur edhe ma herët, por, kujtoi ajo, qeverisja PAN ka abuzuar skajshmërisht me buxhetin e shtetit.
Tutje deputetja Kusari-Lila vijoi me vlerësimin e ligjshmërisë e rezolutës së PDK-së, teksa përmendi funksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që, sipas saj, është dorëzuar 5 muaj ditë pasi është funksionalizuar Autoriteti; keqmenaxhimi i rezervave shtetërore, që deputetja Kusari-Lila i vlerësoi si akuza spekulative, ndërsa përmendi rritjen e rezervave shtetërore që përkthyer në shifra arrin nivelin e 1600%.
Shala: MINT nënshkruan jashtëligjshëm për investitorin strategjik

Ferat Shala foli për keqmenaxhimin e projekteve Expo 2020, në Dubai, për artefakte të lëna atje për 8 muaj.
"Një Ministri që brenda 2 vjetësh shkarkon 7 sekretarëve permanentë, do të duhej reflektuar se çfarë po ndodhë, se çfarë po bëhet me këta njerëz”, reagoi Shala
Tutje ai tha se nënshkrimi i jashtëligjshëm për investitorin strategjik, që tashmë është vërtetuar se dokumentacioni final ka qenë i nënshkruar pa garancion bankar.
Nis seanca plenare në Kuvend

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka filluar mbledhjen me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Deputetët e Kuvendit mes tjerash, po shqyrtojnë edhe Propozim-rezolutën për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila duhej të trajtohej nuancën e djeshme.
Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet gjithashtu edhe për çështjen e mosdeklarimit të pasurisë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarit, si dhe për atë të rezervave shtetërore.
Sot Kuvendi mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Deputetët e Kuvendit mes tjerash, sot me fillim nga ora 10, do të shqyrtojnë edhe Propozim-rezolutën për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila duhej të trajtohej nuancën e djeshme.
Dje, deputetët kanë trajtuar disa nga pikat e papërfunduara nga disa seanca të kaluara. Por, as gjatë kësaj seance nuk kishte kuorum për votimin në parim të projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor si dhe për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit diskutuan për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 pasi Qeveria i ka hapur rrugë zhbllokimit të mjeteve vetanake për komunat.























