Situata në veri, Opozita: Qeveria t’u shmanget grackave që vinjë nga Serbia
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Vazhdojnë reagimet e partive opozitare pas ngjarjeve të sotme në veri të vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij ndanë shqetësimin për ngjarjet në veri të vendit dhe jep mbështetjen e saj për Policinë e Kosovës e cila duhet ta ruajnë rendin,
Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm për ngjarjet e fundit në veri:
“Më lejoni që të ndaj shqetësimin e LDK-së për ngjarjet në veri të vendit dhe të jap mbështetjen e Lidhjes Demokratike për djemtë e vajzat tona në Policinë e Kosovës që duhet ta ruajnë rendin, ligjshmërinë, sovranitetin në gjithë territorin e Kosovës. Njëkohësisht u bëj thirrje institucioneve të vendit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet diplomatik e shtetar e të koordinoj çdo përpjekje me aleatët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri të Kosovës. “Qeveria e Kosovës duhet të shmanget nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që vie nga Serbia e më pas përkthehet në koncesione tjera dialoguese për Republikën e Kosovës. Përgjegjësia dhe sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Situata në veri, PDK: Dënojmë dhunën e grupeve të dirigjuara nga Serbia

(E plotësuar) Vazhdojnë reagimet e partive opozitare pas ngjarjeve të sotme në veri të vendit. Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia.
“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t'i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
PDK-ja fton qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t'i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Situata në veri, Haradinaj: Koordinimi me aleatët i paalternativë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune, ndërsa ka bërë thirrje tek serbët lokalë të mos bien pre e interesave politike të Vuçiqit.
“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me aleatët.
“Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë. Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka apeluar tek të gjithë që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës.























