SHBA-ja dënon veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në veri
Lajme

SHBA-ja dënon veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në veri

Fadil Sertolli / RTKlive

Përveç Sekretarit Amerikan Antony Blinken edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një komunikatë zyrtare për media përmes së cilës dënojnë veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se veprime të tilla të Qeverisë së Kosovës janë ndërmarrë kundër këshillave të SHBA-së dhe BE-së.

Po ashtu, në reagimin e DASH-it thuhet se veprime të tilla kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet në veri të vendit duke minuar përpjekjen e SHBA-së për të ndihmuar procesin dhe theksojnë se veprimet e sotme do të kenë pasoja të pariparueshme në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sekretari Blinken reagon për situatën në veri të Kosovës

M.Miftari/RTKlive 19:13 / 26.05.2023

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar për situatën në veri të Kosovës.

Ai, përmes rrjetit social Twitter, ka dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës, që po përshkallëzojnë tensionet.

Sekretari Blinken, më tej, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që t'i ndalojë menjëherë këto masa të cilat i quajti të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

SHBA dënon veprimin e autoriteteve të Kosovës në veri

J.Musliu/RTKlive 16:58 / 26.05.2023

Për situatën e sotme të tensionuar në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Me një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, ai ka dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”, shkruan Ambasadori Hovenier.

“Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi kreu i diplomacisë amerikane në Kosovë.

Aktualisht, kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri, kanë hyrë në zyrat e tyre, por nën masat e rrepta të sigurisë nga Policia e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme