Policia e Kosovës: Situata në veri tani është qetësuar
Lajme

Policia e Kosovës: Situata në veri tani është qetësuar

M.Miftari/RTKlive

Policia e Kosovës, përmes njoftimeve zyrtare, sqaron se bazuar në autorizimet ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.

Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim.

Tutje në komunikatën e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave.

“Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre. Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej, në njoftim thuhet se me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës.

“Si pasojë e sulmeve pesë(5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4)automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.  Profesionalizëm / Integritet / LlogaridhënieIndividë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Policia e Kosovës, ndër të tjera, vë në dukje se me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente, duke shtuar më tej  se mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.

“Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si: Cenim i Rendit Kushtetues; Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm; Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se situata tani është qetësuar, duke shtuar se do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend.

 

 


MË SHUME NGA Lajme