Margariti: “Notre Dame de Paris” ngriti peshë Tiranën
atsh
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale një album fotografik si dhe mbresat nga shfaqja e “Notre Dame de Paris” mbrëmjen e së dielës në Tiranë.
Margariti e quajti një “spektakël të jashtëzakonshëm që mbushi stadiumin Air Albania”.
Margariti shkroi se “muzikali i rekordeve botërore, Notre Dame de Paris – Tirana, ngriti peshë Tiranën. Çdo element i shfaqjes, muzika, koreografia, skenografia, regjia, këngëtarët, balerinët, ndriçimi ishin magji”.
Ministrja Elva Margariti falënderoi kompozitorin e veprës, Riccardo Cocciante, për këtë vepër të përjetshme, të cilën ai e ndau edhe me publikun shqiptar.
Një falënderim i veçantë i shkoi edhe Elhaida Danit, që çon kudo në botë edhe emrin e Shqipërisë.
Muzikali “Notre Dame de Paris” është i shkruar nga Ricardo Cocciante dhe tekstshkrues është Luc Plamondon. Elhaida u ftua nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror i cili është pjesë e librit Guinness. Gjithashtu, duke njohur terren të gjerë nëpër botë, vepra është e përkthyer në 7 gjuhë të tjera.
Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, po udhëtojnë anekënd botës duke e prezantuar përpara artdashësve.























