Situata në tri komunat e Kosovës në veri, ulet numri i protestuesve
BKT
Foto: Elmina Osmani/Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Situata në tri komunat e Kosovës në veri, ulet numri i protestuesve

Jeton Musliu/RTKlive

Gazetarët e RTK-së të shpërndarë në tri komunat e Kosovës në veri të vendit, raportojnë për situatë të qetë Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq, ndonëse gjendja mbetet e tensionuar dhe me disa incidente të vogla.

Zubin Potok

Kështu, në Zubin Potok, gazetarja Elmina Osmani, raporton se ka rënë ndjeshëm numri i pjesëtarëve të strukturave paralele,  të pranishëm para ndërtesës së komunës.

Ndonëse më herët, strukturat paralele kishin aktivizuar edhe alarmin për të shkaktuar panik dhe për të grumbulluar më shumë qytetarë, interesimi për t’iu bashkangjitur ka rënë dhe tani para komunës shihen vetëm disa prej tyre.

Ndërkohë, Policia e Kosovës është duke monitoruar situatën.

Leposaviq

Në komunën më veriore të Kosovës, ndryshe nga orët e para të mëngjesit, tani situata është shumë më e qetë.

Në protestën e thirrur e të drejtuar nga strukturat paralele e në të cilën morën pjesë edhe drejtues të Listës Serbe, tanimë pjesëmarrësit thuajse janë shpërndarë.

Para ndërtesës së komunës së Leposaviqit ka një numër të vogël protestuesish, kurse policia dhe KFOR-i po monitorojnë situatën.

Është raportuar se brenda komunës, është kryetari Lulëzim Hetemi i cili ka hyrë që në orët e hershme të mëngjesit, por pavarësisht përpjekjeve, RTK nuk ka mundur ta konfirmojë një informacion të tillë.

Sidoqoftë, gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda, raporton se të revoltuar, disa pjesëtarë të strukturave paralele, kanë vizatuar katër 'C' mbi automjetet e dy ekipeve mediatike nga Prishtina.

Megjithatë, nuk raportohet për gazetarë ose staf teknik të lënduar.

Zveçan

Edhe në Zveçan situata është qetë. Atje ka pasur disa incidenteve siç është vizatimi i shenjës ‘Z’, simbolit të Rusisë në luftën ndaj Ukrainës, mbi veturat e KFOR-it amerikan.

Gjithashtu, në disa raste, është bërë  dëmtimi i simboleve amerikane në këto vetura nga ana e pjesëtarëve të strukturave paralele serbe të pranishme në protestë.

Siç raporton gazetarja e RTK-së, Edina Avdiu, në orët e pasdites, është regjistruar edhe një incident tjetër, kur pjesëtarë të strukturave paralele serbe, i kanë shpuar gomat e një autoblindi të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.  


MË SHUME NGA Lajme