Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës
BKT
Lajme

Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës

E. Hoti/ RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi,  ka thënë sot se kryetarët e zgjedhur në komunat veriore  mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës. Bislimi takoi sot Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon me të cilën bisedoi për situatën në veri.

Bislimi theksoi se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në lidhje me situatën në veri, u ritheksua se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se institucionet e Kosovës janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces.

Sipas njoftimit, në takim u shpreh mirënjohja për punën e Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi  raportuesen Cramon edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel me 15 maj.​


MË SHUME NGA Lajme