Kryeparlamentari Konjufca reagon për tensionet në veri
E. H/ RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Glauk Konjufca ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Ai ka dënuar dhunën e protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Konjufca tha se dënon ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren.
Ai ka shprehur solidaritetin personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe u ka uruar shërim sa më të shpejtë.
“Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, tha Konjufca.
Ai u ka bërë thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat sipas tij janë haptazi të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq.
“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë!", ka shkruar Konjufca
Gjithashtu, ai u ka bërë thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që kanë bërë akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
"Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet!”, ka thënë Konjufca.























