Borell: Kosova t’i ndalojë operacionet, e serbët protestat në veri
M.Shefkiu/RTKlive
Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës pas protestave të dhunshme të qytetarëve serbë, ka nxitur reagimin e shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili kërkoi nga Kosova që t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri, derisa e dënoi dhunën ndaj forcave të rendit nga ana e protestuesve.
“BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit. Dhuna ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it është e papranueshme dhe sjell një situatë të rrezikshme”, ka thënë Borrell para gazetarëve në Bruksel.
Këto deklarata spanjolli i bëri pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq,
Borell ka shtuar se BE qëndron pranë NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Shefi i BE-së ka deklaruar po ashtu se ka folur me kryeministri Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq për situatën në veriun e Kosovës.
“Kam folur me kryeministrin Kurtin edhe sot në mëngjes, dhe presidentin Vuciq gjatë natës dhe kam kërkuar nga ta që urgjentisht të marrin masa për të shtensionuar situatën. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t’i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, tha Borrell.
Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në pyetjen e gazetarëve në Bruksel ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj në Zveçan, duke u përgjigjur se “për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia”.
Kujtojmë se gjatë protestave të dhunshme në veri janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit.























