Vazhdojnë sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës
BKT
Lajme

Vazhdojnë sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Sulmet në drejtim të gazetarëve që po raportojnë nga komunat në veri të Kosovës po vazhdojnë edhe sot. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë raportuar 10 sulme ndaj gazetarëve dhe ekipeve medieve, bëjnë të ditur nga AGK. Drejtues të AGK-së e profesorë të gazetarisë thonë se gazetarët në veri kanë nevojë për më shumë siguri.

Që nga fillimi i tensioneve të fundit në komunat në veri të Kosovës, shumë gazetarë janë ballafaquar me pengesa e sulme të formave të ndryshme apo edhe demolim të mjeteve të punës. Me një situatë të tillë u përball dje edhe Fetije Kamberi, gazetare në Tëvë1, e cila edhe sot po raporton nga komunat në veri të Kosovës.

 “KFOR-i ka qenë ballë për ballë me protestuesit dhe në vazhdimisht jemi gjuajtur me gurë dhe vezë. Pavarësisht se KFOR-i i ka parë protestuesit që na kanë sulmuar, nuk janë ofruar për të na pyetur nëse jemi mirë dhe nëse ndonjëri nga ne është lënduar. Ajo çfarë ne po kërkojmë është që të bëhet siguria e gazetarëve dhe të kemi Policinë e Kosovës afër, kur ne raportojmë”, tha ajo.

Getoarbë Mulliqi – Bojaj, drejtore ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve, thotë për Radio Kosovën se fakti se vetëm dje janë raportuar 10 sulme ndaj gazetarëve dhe medieve, është treguesi më i mirë se gazetarët që po raportojnë nga veriu, nuk e kanë sigurinë e nevojshme.

 “Komplet sistemi i sigurisë ka dështuar në krijimin e kushteve për raportimin e gazetarëve në një ambient të sigurt. Dje, gazetarët, posaçërisht në Zveçan, kanë qenë në vazhdimësi të rrezikuar nga të gjitha palët. Andaj edhe AGK ka kërkuar nga Policia, KFOR-i dhe prezenca ndërkombëtare që të caktojë një perimetër ku do të qëndronin gazetarët, ashtu që ata të mos rrezikohen gjatë raportimeve të tyre. Por, kjo nuk është marrë parasysh”, tha ajo. 

Teksa lavdëron gazetarët për raportim korrekt për situatën në veri, edhe profesori universitar i gazetarisë, Alban Zeneli, thotë se institucionet kompetente duhet të ofrojnë më shumë siguri për gazetarët.

 “Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i duhet të ofrojnë më shumë siguri për gazetarët që t’iu mundësohet puna nga veriu. Sulmet që i kemi parë ndaj gazetarëve dhe medieve janë qartësisht të motivuara etnikisht, sepse janë sulmuar vetëm mediet në gjuhën shqipe. Kjo tregon se niveli i urrejtjes ndëretnike në atë pjesë të Kosovës kundrejt shqiptarëve, është në nivel të lartë”, tha ai.

Për sulmet ndaj medieve në komunat veriore Kosovës, ka reaguar edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe organizata të tjera të cilat  kërkojnë nga autoritetet kompetente që t’i mbrojnë gazetarët.


MË SHUME NGA Lajme