BE: Të gjithë po angazhohen për një takim urgjent Kurti-Vuçiq
Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka konfirmuar se të gjithë po angazhohen për organizimin e një takimi urgjent në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kuritit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç merret vesh nga burimet në Bruksel, ideja për organizimin e një takimi të jashtëzakonshëm ka nisur të qarkullojë qysh të premten në dritë të trazirave në veri.
Të njëjtat burime konfirmojnë gjithashtu se Mirosllav Lajçak, përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialog është në kontakt të përhershëm më palët, por deri më tash angazhimet e tij rezultuan pa sukses.
Ideja është që takimi i mundshëm të zhvillohet në Bratisllavë ku ishte planifikuar pjesëmarrja e liderëve kosovarë e serbë në panele të ndara gjatë një konference ndërkombëtare të organizuara nga Think-Tank GLOBSEC.
Meqë të gjithë janë të pranishëm në këtë event u konsiderua e përshtatshme që pikërisht në margjinat e kësaj konference të organizohet takimi urgjent i liderëve.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian mbështesin emisarin Lajçak në angazhimet e tija për organizimin e një takimi, sepse konsiderohet se në këtë mënyrë do kontribuohej në depërshkallëzim e situatës në veri. Sidoqoftë, akoma nuk ka konfirmim se palët janë të gatshme të takohen.























