Rrugët në Zveçan pastrohen nga të dyja anët
V. Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Pas protestave të sotme në Zveçan, qytetarët janë shpërndarë, ndërsa rrugët janë pastruar, njofton ekipi i RTK-së nga veriu.
Në anën ku bëjnë roje ushtarët e KFOR-it rrugët janë pastruar nga kompania shqiptare, ndërsa në anën ku kanë qëndruar protestuesit dhe gazetarët, rrugët janë pastruar nga serbët. Protestuesit janë shpërndarë, raporton gazetarja Edona Podvorica.
Në Leposaviq vazhdon protesta, në Zubin Potok shpërndahen protestuesit
Protestuesit në Leposaviq nuk kanë arritur të gjejnë dakordim me pjesëtarët e KFOR-it në lidhje me ndërprerjen e protestës.
Ata kanë thënë se deri në plotësimin e kërkesave të tyre nuk do të tërhiqen prapa, raporton nga atje gazetarja Arbresha Berisha.
Po ashtu ajo njofton se për herë të dytë ish kryetari i Listës Serbe dhe ish-kryetari i Leposaviqit kanë hyrë në oborrin e komunës për të biseduar me pjesëtarët e KFOR-it.
Kurse gazetarja Valjeta Shala njofton se protestuesit në Zubin Potok janë shpërndarë të qetë.
Shala, nga atje bënë të ditur se nga kjo hapësirë janë hequr edhe tendat e vendosura qysh nga mëngjesi.























