Mbarojnë protestat në veri, sot u sulmua RTK dhe mediet e tjera |Video
BKT
Foto: RTKlive
Në Fokus

Mbarojnë protestat në veri, sot u sulmua RTK dhe mediet e tjera |Video

Jeton Musliu/RTKlive

Protestat e strukturave paralele serbë në veri të Kosovës, të dirigjuara edhe nga Lista Serbe, tashmë kanë përfunduar në tri komunat, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Megjithatë, protestuesit sot nuk janë përplasur me KFOR-in apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, por me gazetarët që kanë raportuar. Cak i sulmeve ishin e dhe ekipet e RTK-së, në Leposaviq e Zubin Potok.

Zveçan

Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica, së bashku me kameramanin Lorik Salihu, inxhinierin Fatlum Hamiti  e vozitësin Lorik Xhoci, kanë raportuar gjatë tërë ditës nga Zveçani, në lidhjen direkte në emisionin “Info Plus” në RTK në orën 17:00, gazetarja deklaroi se në Zveçan, protestuesit gjatë tërë  ditës kanë qëndruar pak më të qetë, përveç rasteve kur kanë menduar se mediat po i provokojnë, e që sipas tyre, provokim për ta ka qenë edhe fakti kur kemarat kanë xhiruar vetëm pamje.

“Tanimë protestuesit janë shpërndarë, por gjatë tërë ditës kanë kërkuar që kryetari i sapo zgjedhur i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, të mos shkojë në komunë. I njëjti, detyrën është duke e ushtruar nga Zyra për Komunitete në fshatin Kelmend”, tha gazetarja e RTK-së.

Ajo shpjegoi se kryetari Peci ka deklaruar se ka vendosur të respektojë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që të mos shkojë në ndërtesën e komunës.

“Protestuesit sërish thanë se do të protestojnë nesër në orën 7:00 të mëngjesit, nëse dy nga kërkesat e tyre nuk pranohen. E para të largohen nga Zveçani dhe ndërtesa e komunës, Njësia Speciale si dhe të bëhet lirimi i personave të arrestuar një ditë më parë, të cilët kanë sulmuar e lënduar ushtarët e KFOR-it”.

Leposaviq

Gazetarja e RTK-së, Arbresha Berisha së bashku me kameramanin Ilir Uka, kemaramain Shaip Xhinovci, inxhinierin Fatmir Shabanin  e vozitësin Fatmir Shabani,  kanë raportuar të martën gjatë tërë ditës nga Leposaviqi. Ajo tha se situata e sigurisë në orte  pasdites ishte e qetë. Megjithatë, gazetarja në lidhje direkte me emisionin “Info Plus” në RTK në orën 17:00, deklaroi se vetëm disa minuta para se të raportonte, serbët janë munduar që t’i pengojnë ata për të raportuar,  duke hedhur në drejtim të tyre,  gjësende të ndryshme.

“Ekipi i RTK-së po qëndron pak më larg sesa ndërtesa e komunës së Leposaviqit meqë serbët të drejtuar nga grupet kriminale, kanë tentuar të pengojnë ekipin e RTK-së në kryerjen e detyrës”, tha gazetarja Berisha.  “Ata kanë sharë e fyer në drejtim të gazetarëve kurse disa gazetarëve edhe ua kanë thyer pajisjet”.Sidoqoftë, gazetarja u shpreh se ndoshta edhe për shkak të shiut dhe kushteve atmosferike, një pjesë e protestuesve serbë janë larguar. “Megjithatë, dhjetëra të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së komunës”, tha ajo.

Gazetarja tha se në përgjithësi situata ka qenë e qetë. “Por e tërë përplasja e serbëve sot në Leposaviq ka qenë në drejtim të mediave”, sqaroi ajo. Ndërkohë, ajo deklaroi se forcat e KFOR-it nuk është se kanë qëndruar pranë gazetarëve apo u kanë ofruar siguri. “Gjatë ditës janë sulmuar edhe dy vetura të mediave, por pa lëndime në staf”.

Zubin Potok

Në komunën e Zubin Potokut, ka qëndruar gjatë tërë ditës së martë, gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala së bashku me kameramanin Arben Llapashtica dhe  inxhinierin Mentor Vinarci.

Në lidhje direkte me emisionin “Info Plus” në RTK në orën 17:00, ajo deklaroi se të gjithë protestuesit janë shpërndarë dhe janë hequr edhe tendat që ishin vendosur në mëngjes. Gazetarja Shala tha se raportimin po e bënte me telefon dhe kjo për shkaqe sigurie. “Për shkaqe sigurie këtë linjë po e realizojmë me telefon sepse në momentin kur janë shpërndarë protestuesit, janë shpërndarë edhe mediat”, tha gazetarja Shala.

“Por ekipi i RTK-së, rrugës gjatë kthimit, është sulmuar me gurë”, shpjegoi ajo. Gazetarja tha se që të mos rrezikohet  më tepër dhe të mos qëndrojë vetëm ekipi i RTK-së në Zubin Potok, edhe ata është dashur të largohen nga kjo qytezë në drejtim të Mitrovicës së Jugut.

“Kemi vendosur të kalojmë në Mitrovicë të Jugut. Ekipi i RTK-së ka takuar edhe kryetarin e ri të Zubin Potokut, por ai ka thënë se sot kanë punuar në disa çështje teknike në njërën nga Zyrat për Komunitete  në Çabër”, tha ajo. “Kryetari tha se varësisht nga situata edhe do të veprojë”, citoi ajo kryetarin e ri të kësaj komune.

Ndërkohë, edhe mediat e tjera janë sulmuar nga protestuesit serbë. Asociacioni i gazetarëve të Kosovës raportoi sot se një mjet shpërthyes është hedhur nga një grup i protestuesve serbë, në drejtim të veturës (taksi) në të cilën ishte ekipi i Radio Evropa e Lirë. 

Sipas ekipit prezent, nuk dihet mjeti shpërthyes i cili është hedhur në drejtim të tyre, mirëpo zhurma ka qenë e madhe. “Fatmirësisht, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit nuk është lënduar”, deklaroi AGK-ja. 

Ky Asociacion sqaroi se në vazhdën e ndodhive në komunat në veri të vendit, mbi 15 sulme në drejtim të gazetarëve kanë ndodhur vetëm dy ditët e fundit.


MË SHUME NGA Në Fokus