Analistët: Masat ndëshkuese për Kosovën nga SHBA-ja, shqetësuese
Bardha Shkreli /Radio Kosova
Masat ndëshkuese për Kosovën nga SHBA-ja shihen me shqetësim nga njohësit e rrethanave politike në vend. Situata është për keqardhje, thonë ata derisa bëjnë thirrje që përmes një koordinimi shumë të afërt me SHBA-në, Qeveria të gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
Kosova është përjashtuar nga pjesëmarrja në një stërvitje të madhe dhe të vazhdueshme ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë. Kjo masë ndëshkuese për Kosovën, shihet me shqetësim nga njohës të rrethanave politike në vend. Në këtë rast, Drilon Gashi thotë se pavarësisht asaj se kryeministri Kurti dëshiron të shtrijë sovranitetin në të gjithë territorin e Kosovës, kjo mund të bëhet në bashkëpunim me SHBA-në.
“Natyrisht për shumë keqardhje lajmërimet se po preken disa aspekte të marrëdhënieve dypalëshe për shkak të ngjarjeve të fundit…Unë shpresoj shumë se Qeveria e Kosovës, kryeministri, do të mendojë se cilat zgjidhje i kanë para vetes dhe në bashkëpunim me SHBA-në për të dalë nga situata. Republika e Kosovës forcohet me një bashkëpunim me SHBA-në” , thotë Gashi.
Njohësi i rrethanave politike në vend ish gazetari serb, Branislav Kërstiq, thotë se nga kjo situatë kanë humbur të dyja palët. Ai thotë se qytetarët serbë në komunat veriore të Kosovës janë viktima të të dyja palëve, në këtë rast të Kurtit e Vuçiqit.
“Për herë të parë ne kemi prishjen e raporteve me SHBA-në. Pas 20 vjetëve ne kemi prishjen me administratën amerikane, kjo shpjegon se në Prishtinë ne kemi kryeministrin i cili në pozitën ultra-nacionaliste, në veri ai është interesuar vetëm për territorin dhe jo për popullin. Në anën tjetër është prezantuar edhe dora e diktatorit nga Beogradi. Dhe nëse flas në emër të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, mund të them se ne jemi viktimat e të dyja palëve”, thotë Kërstiq.
Qëndrimi i palës kosovare ishte kritikuar ditë më parë edhe nga ish ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, duke thënë se Kosova duhet ta kuptojë se nuk është në gjendje të diktojë politikën e shteteve të fuqishme, siç është Amerika.
Ndërkaq SHBA-ja kishte paralajmëruar pasojat për Kosovën pasi kishte këshilluar kryeministrin Albin Kurti që të ndryshonte kursin e tij të veprimit.























