Abdixhiku: Kërkojmë koordinim të ngushtë të Qeverisë me aleatët
BKT
Lajme

Abdixhiku: Kërkojmë koordinim të ngushtë të Qeverisë me aleatët

B. Halimi | RTKlive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti rreth situatës së tensionuar në veri, e veçmas në raport me aleatin kryesor, SHBA-në. Ai ka thënë se Kosova që nga e premtja është duke u përballur me një situatë, siç e ka quajtur, të pamenduar.

“Kosova është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, e kryeministri Kurti në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtarë. E kjo s’ka ngjarë asnjëherë. Sa herë që kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë ndërkombëtarë, sepse kemi qenë të bashkërenduar me ta, kemi vepruar bashkë me ta sepse kemi ndarë të njëjtat vlera dhe të njëjtat interesa e të njëjtin vizion”, ka thënë Abdixhiku në konferencë për media.

Sipas tij këto përmbysje aleancash, vizionesh e prioritetesh askush nuk i ka dashur në Kosovë.

“Për këtë, nuk ka votuar askush. Prandaj, nuk mund të flasim për tjetër gjë, përveç se një aventure të rrezikshme personale të Kurtit që nuk ka legjitimitet politik e demokratik në Kosovë sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë nuk është në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor”, ka shtuar Abdixhiku.

Tutje kreu i LDK-së ka bërë të ditur se ky subjekt politik ka ftuar kryeministrin në seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për të raportuar për gjendjen në veri dhe për relacionet e rënduara të Republikës së Kosovës, e në veçanti me SHBA-në.

“LDK kërkon koordinim të ngushtë të Qeverisë së Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, me aletatët tanë si hap i parë drejt qetësimit të situatës në veri. Ky koordinim nënkupton bashkërendim të aktiviteteve me aleatët nëpërmjet një dialogu të hapur dhe të sinqertë me ta. LDK i bën ftesë presidentes së vendit që të flasë, të ketë pozicion të qartë e të zëshëm në këtë çështje jetike të përballjes publike të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në”, ka nënvizuar lideri i LDK-së.

Abdixhiku ka thënë se Kosova nuk duhet të bie në grackë të Serbisë, pasi përkeqësimi i situatës atje e rrezikon Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme