Reagon ASHAK, akuzon akademinë serbe për nxitje të dhunës në veri
M.Shefkiu/RTKlive
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar të mërkurën kundër protestave të dhunshme të qytetarëve serbë në veriun e Kosovës, duke akuzuar Beogradin zyrtar dhe akademinë e tyre të shkencave, për nxitje të urrejtjes dhe të konflikteve. ASHAK thotë se dhunën atje po e shkaktojnë bandave kriminele serbe, ndërsa iu rekomandon institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë miqësinë me aleatët.
“Pamjet e dhunës mbi trupat e KFOR-it dhe përgjithësisht të situatës së krijuar në këtë pjesë të Kosovës, janë rezultat i politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq. Ashtu sikundër kemi paralajmëruar edhe më herët, Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, konsideron ASHAK.
Me këtë rast ky institucion shpreh keqardhjen që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), hartuese e “Memorandumit” “dhe ideatore e “botës serbe”, paraqitet sërish në publik me deklaratat e saj të zakonshme nacionaliste, duke e nxitur konfliktin dhe duke i quajtur zhvillimet në veriun e Kosovës dhe sulmet e bandave kriminale serbe mbi ushtarët e KFOR-it si “dhunë mbi popullin serb”.”
Akademia Serbe, sipas ASHAK, do të duhej të ndalojë të “prodhojë ide” dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike.
Gjithashtu, ASHAK nëpërmjet kësaj komunikate shpreh mirënjohje për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe sakrificë të pashembullt janë duke mbrojtur jo vetëm paqen në këtë pjesë të Evropës, por edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
“Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë. Jemi po ashtu thellësisht mirënjohës që NATO së fundi mori vendim të shtojë kontingjentin e vet me 700 trupa të reja në Kosovë, duke treguar përkushtim të paluhatur që agresioni serbo-rus të mos realizojë asnjë nga planet dhe synimet e tij në Kosovë”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.
Sipas Akademisë, Institucionet e Republikës së Kosovës duke zbatuar detyrimet kushtetuese të një vendi demokratik evropian dhe në miqësi me SHBA-në, është e domosdoshme të përballojnë situatat e rrezikshme në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët, “për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të paqes e të sigurisë në rajon”.























