MPJD fton qytetarët të shmangin kalimin nëpër Serbi
N.Mekolli /RTKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka apeluar te qytetarët e Kosovës që të shmangin kalimin nëpër Serbi, kjo për shkak të situatës në veri të vendit.
“Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
MPJD, njofton se gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
“Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në këtë apel.
























