Rama: Ata që shajnë draft-statutin e AKS-së pa lexuar, kanë vetëm një frikë
J.Musliu/RTKlive
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka reaguar ndaj kritikave që në adresë të tij kanë shkuar nga një pjesë e politikës kosovare, por edhe opozitës në Tiranë, pas dorëzimit nga ana e tij të një draft statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Këtë draft statut ai ka thënë se ua ka dorëzuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e për të cilin tha se është i shkruar në një nivel shumë të lartë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rama deklaroi se ata që e shajnë dhe e akuzojnë pa e ditur përmbajtjen e propozimit të tij, e kanë një frikë.
“Kjo frikë është humbja e armikut dhe bashkë me të edhe humbja e mundësisë që të flasin e sillen si në llogore edhe 24 vjet pas luftës”, deklaroi Rama në llogarinë e tij.
“Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore”, tha ai.
“Ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!”.























