Hulumtim nga RTK: Turbulencat nga dinari |Video
BKT
Foto: RTKlive
Në Fokus

Hulumtim nga RTK: Turbulencat nga dinari |Video

Alban Selimi / RTK  

Sipas studimeve të Agjencisë Kosovare të Bizneseve, mesatarisht mbi 250 milionë euro qarkullojnë në monedhë dinarë për investime kapitale nga serbët e Kosovës. Ndonëse dinari është një valutë ilegale në Kosovë, sipas hulumtimit të emisionit Udhëve, përdorimi i tij shkakton evazion të madh fiskal.

Ngjitur me objektin Bankës Komerciale në Graçanicë janë të vendosur dy bankomatë. Nga aty qytetarët mund të nxjerrin valuta dinarë, e cila po përdoret kryesisht në lokacione të banuara me serbë, në Republikën e Kosovës. Dinari është valutë zyrtare në Republikën e Serbisë. Por, nëse në Graçanicë tërhiqni këtë valutë, afër bankës komerciale gjendet edhe një këmbimore. Aty, dinarët mund të këmbehen me euro, apo anasjelltas.

Redaksia hulumtuese Udhëve ka konfirmuar qarkullimin e valutës dinarë përmes linjave bankare të Serbisë në Kosovë. Videot e siguruara të qytetarëve tek nxjerrin dinarë nga bankomatët tek Banka Komerciale e konfirmojnë lehtësisht se monedha ilegale serbe përdoret në Kosovë.

Në këmbimoren ngjituri, nëpunësi jashtë kamerave konfirmon se ndërrimin e euro mund ta bëjmë në kundërvlerë të 117.8 dinarëve. Brenda këmbimores paguhen edhe shërbime të energjisë elektrike dhe komunali tjera. Por, këto pagesa mund të kryhen vetëm me euro.

Dinari shkakton evazion fiskal në Kosovë

Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë në nenin 11 se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme. Valuta që përdoret në Kosovë është euroja. Edhe në një furrë buke në Graçanicë ekipi i emisionit Udhëve ka blerë produkte me dinarë. Mbishkrimet në furrë janë në gjuhën shqipe dhe serbe. Edhe pagesat mund të bëhen në dy valutat: euro dhe dinarë.

Në furrë ku nuk iu pëlqeu xhirimi gazetarëve që blenë produkte askush iu ofroi kupon fiskal.

Gazetari Lavdim  Hamidi që është njohës i mirë i ekonomisë thotë se evazioni fiskal është një prej pasojave të përdorimit të dinarit në Kosovë.

“E vetmja valutë zyrtare me ligj dhe me kushtetutë në Kosovë është euroja. Që nga paslufta qarkullon edhe dinari i Serbisë dhe gjitha transaksionet kryhen me dinarë dhe kjo shkakton dëm të madh sepse ATK nuk mundet me i kontrolluar ato transaksione”, thotë Hamidi.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Bizneseve të Kosovës numëron dëmet nga përdorimi i valutës ilegale dinar në Republikën e Kosovës.

“AKB ka bërë studime të njëpasnjëshme në aspektin ekonomik dhe duke përfshirë edhe turbulencat e dinarit që bën në Kosovë. Sipas një analizës tonë, studimit që kemi bërë, mesatarisht mbi 250 milionë euro qarkullojnë në monedhë dinarë ose rreth 40/45 përqind të serbëve e përdorin dinarin për investime kapitale dhe kjo është një valutë ilegale sepse nuk e njeh kushtetuta e vendit tonë, por megjithatë ka shumë veprimtari tjera, që janë thuajse legale dhe sipas kësaj kemi edhe në bankomatë, edhe në dyqane dhe për këtë është një pajtueshmëri në heshtje ku nuk ndërmerret asgjë”.

Amir Tusuni njohës i ekonomisë thotë se evazioni fiskal në jug të Kosovës është shumë më i vogël se sa në very, ku është e përqendrueshme pjesa dërmuese e popullatës serbe.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Transfereve për disa javë rresht nuk janë përgjigjur në lidhje

Kurse në një përgjigje me shkrim, zyrtarët e ATK-së thonë se kanë aktivitete të rregullta edhe në komunat serbe për të inspektuar pagesën e tatimeve.

“ATK ka aktivitete të rregullta sikurse në çdo komunë/regjion tjetër edhe në pjesën të cilat banohen nga komuniteti serb, por në pjesën veriore jo aq sa duhet dhe aq sa ka nevojë implementimi i ligjit edhe në atë pjesë, kjo për shkaqe të sigurisë, mirëpo në të shumtën e rasteve gjatë aktiviteteve tona kemi mbështetje nga Policia e Kosovës. Ndërsa, sa i përket përdorimit te valutës nuk është kompetencë e ATK-se të flasë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së ATK-së, Valentina Bytyqi - Sefa.

Ndërkohë në shumë biznese në Graçanicë, gazetari i emisionit Udhëve ka bërë pagesa me dinarë.

“Kosova është treg liberal ku përcakton monedhën dhe nuk ndalon tjerat, përdoret edhe dollari, franga, lira, dinarë, denarë të Maqedonisë dhe çdo monedhë përdoret dhe nuk ka ndalesë, për atë e kanë gjetur këtë hapësirë por kjo është një vështirësi që me siguri edhe BQK dhe institucionet tjera që duhet të parandalojnë këtë fenomen, e kanë pa të arsyeshme më mirë me heshtë se sa me parandaluar”, thotë  Agim Shahini.

Rregulloret e UNMIK-ut ‘sfidojnë’ Kushtetutën

Ndërkohë në Bankën Qendrore të Kosovës kanë pranuar të japin vetëm një përgjigje me shkrim në lidhje me përdorimin e valutës dinar në Kosovë.

“Rregullorja e UNMIK-ut 1999/4 dhe dy Urdhëresat Administrative të UNMIK-ut 1999/2 dhe 2001/24 lidhur me zbatimin e kësaj rregulloreje, përcaktojnë Euron si valutë zyrtare, fillimisht DEM (Marka Gjermane) me Urdhëresën 1999/2, pastaj caktimi i datës nga e cila është bërë zëvendësimi me Euro, me Urdhëresën 2001/24. Që të dy këto Urdhëresa përcaktojnë edhe mundësinë e kryerjes së pagesave të detyrueshme në dinarë me një taks administrative prej 10% për pagesat me dinar. Rregullorja e UNMIK-ut 1999/4, me nenin 1 përcakton liritë e lidhjes së kontratave në valutën për të cilën palët pajtohen”, thuhet në një përgjigje të Kushtrim Ahmetit, zëdhënës i BQK-së. Tutje Ahmeti sqaron se Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Bankë Qendrore, përcaktojnë se në Kosovë do të përdoret një valutë e vlefshme pagese, e cila do të përcaktohet me ligj.

“Megjithatë, legjislacioni i vetëm që përcakton në mënyrë specifike valutat zyrtare është Rregullorja e UNMIK-ut 1999/4 dhe Urdhëresa Administrative e UNMIK-ut 2001/24 që parashohin mundësinë e pagesave të detyrueshme në Euro dhe Dinar”, thotë Ahmeti.

 

Për më tepër, rregullorja në fjalë parasheh edhe lirinë e lidhjes së kontratave në baza vullnetare në valutat për të cilën palët pajtohen. Bazuar në këto referenca, sipas Ahmetit, nuk ka ndonjë ndalesë ligjore specifike për përdorimin e dinarit.

E falë kësaj, në Graçanicë me dinarë punojnë edhe disa biznese të Kosovës. Janë bizneset e vogla të shqiptarëve ato ku lejohet kryerja e pagesave me dinarë.

Ndërkohë, mbushja e bankomatëve me valutën kesh dinar bëhet pasi ky i fundit sillet prej postës së Serbisë, brenda të cilit ekziston një instrument i pagesave përmes të cilit kryhen të gjitha pagesat e pensioneve dhe pagave.

“Nëse nuk është në dijeni BQK është në dijeni Dogana e Kosovës sepse këto para në mënyrë të organizume besoj që futen përmes linjave kufitare të Kosovës me Serbi dhe varet prej nevojave ku shfrytëzohen”, thotë Amir Tusuni, njohës i ekonomisë.

Për disa ditë rresht, emisioni Udhëve në RTK ka provuar që të marrë një përgjigje nga Doganat e Kosovës, nëse monedhat dinarë hyjnë në rruge legale në Kosovë. Apo, nëse doganat kanë konfiskuar sasi të dinarëve, në përpjekje për t’u futur ilegalisht në Kosovë.  Askush në doganat e Kosovës nuk ka pranuar të përgjigjet për këtë çështje.

Edhe gazetari Lavdim Hamidi thotë se shumica e dinarit hyn përmes postës së Serbisë.

“Po flasim për një shumë të madhe qindra miliona euro në Kosovë. Këto pare hyjnë përmes postës së Serbisë e cila nuk kontrollohet dhe nuk mbikëqyret nga shteti i Kosovës”, shprehet Hamidi. Ai thotë se ka pasur raste që institucionet e Kosovës në kufi kanë gjetur shuma të konsiderueshme të dinarit që destinimin kishin pagesën e pensioneve apo pagave të punëtorëve të sistemit paralel në Kosovë përfshirë arsimin, komunat paralele, pensionet etj.

Kështu, miliona dinarë serbë, pos që përdoren për kryeneçësi politike i shkaktojnë vendit edhe turbulencë ekonomike.

 


MË SHUME NGA Në Fokus