Aliu në Leposaviq, takon Hetemin, i ofron ndihmë në realizimin e projekteve
N.Mekolli /RTKlive
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i ka vizituar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Ali, në një postim në Facebok, ka thënë se kishte nderin dhe kënaqësinë e veçantë që ta takojë kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
“Me Kryetarin bashkëbiseduam për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë, me ç’rast i ofruam mbështetje të parezervë”.
Ministri ka thënë se e falënderon kryetarin Lulzim Hetemi për “qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës”, si dhe Policinë e Kosovës për disiplinën dhe profesionalizmin e pashembullt që po e tregojnë për çdo ditë.
Përndryshe ministri Aliu, në orët e hershme të mëngjesit ka hyrë në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, ndërsa duke u larguar, pas gjysmë ore, serbët e grumbulluar kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe vezë në drejtim të makinës së ministrit, i cili më pas është përcjellë në drejtim të stacionit të policisë.
























